20 vjet nga Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë, konkuronte edhe një Kandidat i Pavarur nga Dragashi

Në cilësinë e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, më 23 dhjetor 1997 u bë shpallja e zgjedhjeve të reja ‘Parlamentare dhe Presidenciale’ për datën 22 mars 1998, të cilat u mbajtën në 29 zona – njësi zgjedhore, për t’u zgjedhur presidenti dhe 130 deputetë, 100 prej të cilëve dalin në zgjedhje të drejtpërdrejta, kurse 30 vendet tjera shpërndahen sipas proporcionit

Kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të 22 marsit 1998, ishte caktuar gjykatësi Tadej Rodiqi.

Sipas KQZ-së në atë kohë në zgjedhje kishin marrë pjesë dhjetë parti politike, tre asociacione, Shoqata e Juristëve të Pavarur, Lëvizja e të Gjelbërve e Kosovës dhe Lidhja e Qytetarëve e Kosovës, dhe tre kandidatë të pavarur për deputet, dy nga Deçani dhe një nga Dragashi.

Më 19 mars 1998, Ibrahim Rugova i bëri apel popullit të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare e presidenciale më 22 mars. /OpojaSot.com

Apeli i Presidentit Ibrahim Rugova

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës. Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale të 22 marsit në Republikën e Kosovës janë me rëndësi të veçantë historike, kombëtare e shtetërore.

Me këto zgjedhje mbahet dhe forcohet rendi demokratik në Kosovë, duke u afirmuar vota e lirë e qytetarëve.

Me këto zgjedhje forcohet legjitimiteti i udhëheqjes dhe institucioneve të Kosovës, krijohen mundësi më të mëdha të ndërtimit të shoqërisë dhe të shtetit civil.

Me këto zgjedhje forcohen më shumë lidhjet e Kosovës me miqtë e saj të shumtë në botë, sidomos me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

Në cilësinë e Kryetarit të Republikës së Kosovës, ftoj të gjithë qytetarët që të dalin në votime. Nga institucionet republikane e lokale kërkoj të bëhen përgatitjet e duhura për realizimin me sukses të zgjedhjeve të 22 marsit.

I ftojë qytetarët të votojnë për kandidatët parlamentarë e presidencial të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje, sidomos të LDK-së dhe të partive tjera që kanë punuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së tij.