Shaban Shabani: PDK me ofertë serioze për qytetarët e Dragashit

Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani pret që në raundin e dytë të zgjedhjeve në balotazh që do të zhvillohen më 19 nëntor, do të jetë fitues kundër kandidatit të LDK-së.

Shabani në një intervistë për KosovaPress ka thënë se qytetarët e Dragashit kanë një arsye për të votuar kandidatin e PDK-së, për faktin se punën që e ka bërë kjo parti për qytetarët e kësaj komune gjatë gjithë kësaj kohe, është treguar se PDK-ja është e fuqishme, ka kapacitete për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për ngritjen e mirëqenies së tyre në përgjithësi.

Kandidati i PDK-së,  i cili ka një përvojë në udhëheqjen dy drejtorive komunale dhe në periudhën e fundit si kryesues i kuvendit komunal, ka thënë se i duhet mbështetja  e qytetarëve të Dragashit për kryetar të komunës, sepse PDK për këto zgjedhje ka ofruar një ofertë shumë serioze për mandatin katër-vjeçar qeverisës.

Ai ka thënë se për çështjen e papunësisë, që mbetet sfidë për të, do të angazhohen që përmes një Zyre për Zhvillim Ekonomik dhe nëpërmjet një kontakti të drejtpërdrejt me Shoqatën e Afaristëve në këtë komunë do të arrijnë për gjenerimin e vendeve të reja të punës. Po ashtu, sipas Shabanit, edhe hapja e komunës së Dragashit në raport me shtetet fqinje, e cila gjendet  në trekëndëshin me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, ka filluar të ketë një qasje të drejtpërdrejt me komunën e Mavrovës së Maqedonisë, si dhe krijimi i tri daljeve që tash janë edhe me Shqipërinë.

Të gjitha këto qasje me shtetet fqinje, sipas Shabanit, do të sjellin të mira materiale për qytetarët e Dragashit që të rritet niveli i këmbimeve dhe mallrave.

Shabani, ka treguar se Dragashi ka potenciale zhvillimore në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, dhe premton për ta rregullimin e infrastrukturës rrugore, si dhe përkrahje e tyre për qendrat grumbulluese të produkteve.

Ai ka thënë se në Dragash ka kushte për grumbullimin e frutave të malit dhe prodhimin e mjedrave, si dha ka filluar një sipërfaqe me u kultivuar me fidanë të reja.

Shabani po ashtu ka thënë se tek çështja e zhvillimit ekonomik, komuna e Dragashit veç i ka të hequra taksat për ndërmarrjet e vogla të gjitha taksat komunale dhe nuk paguajnë bizneset.

Andaj, sipas tij, do të vazhdojnë edhe për katër vitet e ardhshme që këto taksa t’i mbajnë të hequra. Shabani tha se kjo do të thotë se për fazën e parë nuk e kanë asnjë lloj shpenzimi bizneset, por gjithsesi nëse ka nevojë ata do ta kenë edhe mbështetjen nga komuna për avancimin e një ideje, duke pasur edhe mbështetje financiare për aq sa ka mundësi komuna.

Po ashtu ai ka premtuar se turizmi do të mbetet një fushë e veçantë ku janë të angazhuar t’i shfrytëzojnë të mirat e Parkut Nacional Sharri.

Kandidati Shabani në fund ka shtuar se në raundin e parë kanë pritur një rezultat ndryshe, por si do që të jetë në raundin e dytë janë ai tha se janë në pikën zero me kundër kandidatin dhe do të fillohet nga fillimi.

Ai shprehet i bindur se jo që do të përmbyset ky rezultat, por PDK do të ketë një fitore të thellë në Dragash, për faktin se qytetarët e kësaj komune do ta mbështesin PDK-në, sepse ky subjekt ka dëshmuar me angazhim në mandatin e kaluar./KosovaPress/