Adem Hodza: Profili i deputetit vendimtar për Demarkacionin

21 marsi i 2018-së do të mbahet mend nga kosovarët. Për shumicën si një datë e rëndësishme kur u vendos për shpërthimin e izolimit, ndërsa për një pakicë politike si një moment kur Kosova i fali tokë Malit të Zi. Por, kush i dha zgjidhje dhe u bë vota e 80-të për procesin që i liron kosovaret nga getoja.

Adem Hodza ditëve të fundit ka qenë njeriu më i kërkuar në Kosovë. Më së shumti e kanë lypur politikanët për shkak të votës së tij vendimtare, por edhe gazetarët. Por, ai u ka ikur me sukses telefonatave nga mediat, ndërkohë që në telefonin e tij është lajmëruar bashkëshortja duke dhënë përgjigje jo fort të besueshme.

“Ademi është në Kuvend, nuk i merr telefonat me veti kur ka seanca”, thotë bashkëshortja e tij.

Por, kolegët e tij politikanë ishin më të suksesshëm në ‘kapjen’ e Ademit.

Hodza është anëtar i partisë së goranëve (JGP), por që në Kuvend është pjesë e grupit parlamentar të Lista Serbe.

Express kishte mësuar se Hodza ishte pajtuar që ta votojë marrëveshjen me Malin e Zi, pas një takimi që e kishte zhvilluar më parë më nënkryetarin e AAK-së, Pal Lekajn, njëherësh edhe ministër i Infrastrukturës.

Madje kjo ishte fuqizuar edhe më shumë nga fotografitë e publikuara në llogarinë e Pal Lekajt në rrjetin social Faceboook.

Hodza, u bë faktor kyç, që një ngërç politik në vend, i krijuar tre vjet më parë, të zgjidhet në orët e mbrëmjes të së mërkurës, përfundimisht.

Prania e Adem Hodza-së në seancën e djeshme kishte frustruar Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje paniku që u krijua aty me të hyrë Hodza në sallë, bëri që partia e Albin Kurtit të mos heq dorë nga praktikat e mëparshme. Kuvendi u mbush sërish me gaz lotsjellës nga tre deputetë të Vetëvendosjes, kur kuptuan se tashmë koalicioni sigurt i kishte votat, pas pranisë së deputetit goran.

Vetëvendosje gjuante gaz në drejtim edhe të deputetëve të LDK-së. Raportohej se kjo bëhej qëllimshëm, marrë parasysh gjendjen shëndetësore të Ramiz Kelmendit dhe dyshimet e këtij të fundit për ta votuar ose jo marrëveshjen. Megjithëse Kelmendi, edhe pse paralajmëroi se familja e tij po kërcënohej nëse i njëjti e voton marrëveshjen, në seancën e djeshme konfirmoi se edhe vota e tij do të ishte pro ratifikimit.

Katër herë radhazi u pengua votimi për Demarkacionin me Malin e Zi, derisa përfundimisht kryesia e Kuvendit vendosi që t’i përjashtojë nga salla deputetët që e përdoren gazin si mjet për ta penguar votimin.

Kësisoj, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen e kufirit Kosovë Mali i Zi, i cili i hap rrugë liberalizmit të vizave, që kosovarët të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen.

Me këtë votim përfituesit më të mëdhenj janë kosovarët të cilët besohet se pas disa muajsh  më nuk do të presin para ambasadave. Natyrisht një  përfitues tjetër është edhe ai që edhe votën e tij, pra Adem Hodza. /Gazeta Express