Ankesat e LDK-së për Dragashin, vendoset deri të dielën në ora 15:00

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka filluar shqyrtimin e ankesave të partive politike, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka dorëzuar katër ankesa për komunat: Kamenicë, Dragash, Prishtinë dhe Istog.

Kurse Partia Demokratike e Kosovës është ankuar për Prizrenin dhe Rahovecin.

Kryetari i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku ka thënë për lajmi.net se shqyrtimi i këtyre ankesave ka filluar, kurse kanë kohë deri të dielën që të dalin me vendimet e caktuar.

“Të gjitha ankesat janë në shqyrtim e sipër. Afati kohor ka filluar dje në orën 15:00, kurse ne kemi kohë 72 orë për të vendosur”, deklaroi Desku.

Ai tha se deri të dielën në ora 15:00 PZAP do ta bëjë një gjë të tillë.

“Pra vendimet duhet të votohen dhe gjykohen në PZAP deri të dielën në ora 15:00”, ka thënë Mulë Desku për lajmi.net.