Blaçi – me rrënjë që nga Mesjeta

Fshati Blaç ashtë vendbanim i tipit të mëhallëve, që shtrihet në jug-perëndim të Zaplluxhës dhe rrëzë Sharrit, në lartësinë mbidetare 1,100 metër, në vendtakimin fushor-malor.

Ndonëse ky emër nuk haset në dokumentet e shkruara të shekullit të mesëm, sepse jo të gjitha fshatrat kanë qenë pasuri e Kishës Mesjetare, toponimi Blaç është shumë i vjetër e që lidh antroponimin shqiptar bila, bilaj, për t’u shndërruar më vonë në Blaç, tregon historiani i kësaj ane Bedri Halimi.

Ai thotë se fshati është rreth 15 kilometër në verilindje të Sharrit. Është vendbanim i vjetër ilir.

“Në dokumente të shkruara përmendet në defterin kadastral të Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571 dhe i kishte 7 çiftet familje, 3 beqarë e 3 bineq”, tregon Halimi.

Ndërsa, në regjistrin e Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591 i kishte 5 familje, 5 beqarë, në të cilin jeton popullsia shqiptare autoktone. Sa i përket lëvizjes së numrit të shtëpive e banorëve, Blaçi në vitin 1865 kishte 75 shtëpi.

Në vitin 1879 i kishte 70 shtëpi, të gjitha shqiptare. Më 1913 kishte 420 banorë. Në vitin 1991 i kishte 136 shtëpi me 1,447 banorë.

I përshtatshëm për blegtori

Objektet më të vjetra të Blaçit janë xhamia, e cila është shkatërruar dhe në vend të saj është ndërtuar e reja, tyrbja pranë xhamisë dhe kroi i Blaçit, i cili është pronë e rrugës Bresanë – Blaç – Zaplluxhe, e i cili ka pllakën e mermerit, në të cilën shkruhet se e ka ndërtuar Osman Aga, i biri i Xheladinit, në vitin 1304, teksti është arabisht e gjuha turqisht.

Flitet se Osman Aga ka qenë oficer i lartë në kohën e sundimit osman dhe se përveç çezmës në Blaç ka lënë edhe përshpirtje (objekte tjera si ura, etj.) në Prizren.

Burimet e shkruara flasin se në njërën mëhallë të Blaçit në Prifte, deri vonë kanë ekzistuar mbeturinat e një kishe shqiptare të rrënuar, lokacioni i së cilës dihet edhe sot.

Blaçi është ndër vendbanimet opojane që ka pozitë shumë të përshtatshme gjeografike, falë konfiguracionit të terrenit, që është i përshtatshëm për kalim nga fusha deri në lartësitë e Sharrit dhe anasjelltas.

Prej pasurive natyrore më tepër ka kullosa, pyje dhe tokë fushore. Sipërfaqet e kullosave janë 258 hektarë, të pyjeve 333 hektarë, të arave 187 dhe të livadheve 157.

Blaçin e përbëjnë 3 mëhallë të tipit të grumbulluar të shtëpive, të cilat ende janë të ndara në mes veti: Mëhalla e Epërme, Mëhalla e Poshtme dhe Mëhalla Prifte (Priftja).

Mëhalla e Epërme shtrihet në rrafshin flurioglacia, ndërmjet Përroit të Gurrës dhe Përroit të Kokarajes, të cilët në fund të mëhallës bashkohen dhe formojnë një degë, që derdhet në Lumin e Opojës.

Për nga numri i shtëpive dhe banorëve është mëhalla më e madhe e Blaçit, e cila përbëhet prej tri fiseve: Axhajve e Isufajve, të cilët janë të fisit Krasniq dhe Kanaraje, që janë të fisit Shalë.

Tradita opojane ruhet në mënyrë fanatike

Blaçi ka shkollën e plotë fillore mjaft moderne, ambulancën shëndetësore, bibliotekën dhe disa dyqane tregtare. Është qendër e bashkësisë lokale për Blaçin, Zaplluxhën dhe Zgatarin.

Në territorin e Blaçit i gjejmë këto toponime: Rronzat, Livadhi Ngjomë, Ostrikat, Zinova, Mollëza, Kujëza, Maskujëza, Çurshiza, Linishta, Rrugëza, Botëza e Kuqe, Livadhi Bullit, Razojëza, Buzatica, Lugi i Vathit, Shpatlla e Vogël, Shpatlla e Madhe, Llaskari, Vërrishta, Plakrushti, Shtava, Likini, Shullani, Livadhimi Mahallë, Livadhi i Sylës, Livadhi Hupos, Livadhi Shpatllos, Buxhaku, Mullaka e Danës, Gjallest, Megja e Madhe, Bregu, Mushtekna, Rraha, Ogradet, Lama e Ibishit, Pazhiku, Livadhi i Madh, Trrafqëza, Rrozhana, Kosharishta, Mashnëza, Breshnja, Gjybra Pashos, Rrihnat, Poniku, Brija, Kodra Polakët, Kiki, Gavra, Gaqos, Guri, Guri Skenderit, Guri Dhelpnës, Guri Grihës, Guri Memos, Guri Kandrojë, Kroi Hysos, Tre krojnat, Kroji Fisiqit, Gurra, Kroji me Rrosa, Kroji Shkupit, etj.”, shprehet Berat Bahtiu.

Ai shton se fshati është tipik shqiptar, duke shtuar se tradita në tërë Opojën ruhet në formë fanatike. Ndërkaq, Ibrahim Skënderi thekson se plaga e kurbetit po i mbyll shumë familje në këtë fshat. /Kosova Sot