Debati për Dragashin në RTV Dukagjini: Festimi me pije alkoolike e votat e diasporës përplasin Kryeziun e Shabanin [Video]

Të martën në Radio Televizionin Dukagjini është mbajtur debati radhës me kandidatët për kryetar të komunës së Dragashit.

Selim Kryeziu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë kandidatët që kanë kaluar në balotazh në garën për të parin e komunës së Dragashit.

Debati ishte konstruktiv me një atmosferë pozitive ku u debatuan tema të ndryshme por u dominua nga problematikat e mbetura dhe problemet e qeverisjes së kaluar.

Debati filloi të nxehet kur Kryeziu nga LDK akuzoi se PDK ka përhapur propagandë kundër tij për gjoja festim me pije alkoolike, ndërsa Shaban Shabani u distancua nga këto akuza dhe tha se ai dënon këtë akt.

Selim Kryeziu nga LDK akuzoi PDK-në për dështimin e disa projekteve të rëndësishme siç është projekti i ujësjellësit për shumë fshatra të Opojës me ç’rast premtoi se në mandatin e parë të tij si kryetar i Dragashit do ta zgjidh këtë problem dhe do të mbyllet kjo çështje njëher e përgjithmonë.

Kryeziu ndër të tjera premtoi ndihmë për bujqit dhe blektorët e Komunës me anë të punësimit të një personi që do të kompletoj dokumentacionin e tyre në mënyrë që ata të fitojnë subvencione nga qeveria qendrore.

Kandidati tjetër Shaban Shabani nga PDK, premtoi një zonë ekonomike me të gjitha kushtet e nevojshme në mënyrë që biznesmenët e Dragashit të ushtrojnë veprimtarinë e tyre afariste, e kjo sipas tij do të ndikoj në rritjen e punësimit.

Pa debat nuk kaloi as rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve ku Selim Kryeziu nga LDK ka hedhur akuza ndaj PDK-së se ka bërë shkelje të shumta gjatë procesit zgjedhor ku ndër më të rëndat Seli përmendi votimin e orkestruar në një fshat të Gorës, ku të gjitha votat e fshatit ishin vendosur për kandidatin e PDK-së për Kryetar, ndërsa votat për asamble në mënyrë unanime ishin vendosur për subjektin VAKAT.

Kryeziu përmendi edhe 300 votat me kusht nga diaspora që sipas tij janë kanë ardhur nga Maqedonia dhe kanë shkuar të gjitha për kandidatin e PDK-së.

Nga ana e tij Shaban Shabani nga PDK tha se shkeljet individuale nuk mundë t’i adresohen asnjë subjekti politik dhe se çdo kush që ka bërë shkelje të përballet me drejtësinë.

Në lidhje direkte është paraqitur edhe kandidati i NISMA-së, Fatmir Halili, i cili tha se deri më tani ka marrë ofert serioze nga LDK-ja, por se është i hapur edhe për oferta eventuale nga PDK-ja. /Opoja Sot