Dëfrim Rifaj përplaset me Arban Abrashin

Kandidatit për postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit, Dëfrim Rifaj sot ka hapur një debat me LDK-në, pasi që ai për ‘KosovaPress’ pretendon se kandidati për Kryetar të Prishtinës nga LDK-ja, Arban Abrashi, atëbotë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, kishte bërë shkelje në emërimin e ish-këshilltarit të tij, Drin Haraçia, në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk po e respekton vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), i cili me një vendim ka anuluar konkursin për drejtor të përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit. Ndonëse ky vendim i KPMSHCK-së, e obligon edhe Qeverinë e Kosovës që në afat prej 15 ditësh të zbatojë vendimin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Bëhet fjalë për përzgjedhjen e drejtorit të Agjencisë së Punësimit, Drin Haraqia, i cili deri në emërimin e tij në këtë pozitë ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Punës, Arban Abrashi.

Fillimisht për këtë pozitë, ministria e Administratës Publike si organ kompetent lidhur me rekrutimin e zyrtarëve të lartë drejtues në shërbimin civil të Kosovës më datën 13 janar të këtij viti kishte shpall konkurs për pozitën e lartcekur dhe më datën 05 prill, Qeveria e Kosovës kishte emëruar në këtë pozitë, Drin Haraqin.

Haraçia para se të emërohej në këtë pozitë ka qenë këshilltarë i lartë i ministrit, Arban Abrashi. Menjëherë pas emërimit të tij, njëri nga pjesëmarrësit në këtë procedurë të rekrutimit, Dëfrim Rifaj, kishte paraqitur ankesë në Komisionin për Ankesa për Pozita të larta drejtuese në Ministrinë e Administratës Publike. Ky komision e kishte refuzuar ankesën e ankuesit Rifaj, ndërsa i njëjti kishte deponuar ankesë në KPMSHCK.

Ky organ sipas dokumentit që e ka siguruar ‘KosovaPress’, ka gjetur se ka pasur shkelje të shumta në emërimin e drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë e Punësimi dhe me vendim të datës 18.09.2017 kishte aprovuar ankesën e ankuesit Rifaj.

Ky i fundit ka treguar rastin edhe për ‘KosovaPress’, duke thënë se iu është bërë e padrejtë pasi ish-ministri e ka emëruar kundërligjshëm këshilltarin e vet.

Ai po ashtu ka treguar se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka aprovuar kërkesën tij por ai ka paralajmëruar se këtë rast do ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Rifaj po ashtu ka thënë se për këtë çështje e ka njoftuar edhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, pasi në këtë rast gjatë procesit të rekrutimit dhe intervistimi kanë qenë edhe kompania angleze, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Përgjigje për këtë çështje, pavarësisht insistimit të ‘KosovaPress’-it, nuk është arrit të merret as nga zyra e kryeministrit por as nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Pyetjeve nuk iu janë përgjigjur as zyrtarët e KPMSHCK-së.

​LDK: Britanikët e bënë përzgjedhjen e Haraçisë drejtor, jo Abrashi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj akuzave të kandidatit për postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit, Dëfrim Rifaj, i cili për ‘KosovaPress’ pretendon se kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK-ja, Arban Abrashi, atëbotë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, kishte bërë shkelje në emërimin e ish-këshilltarit të tij, Drin Haraçia, në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit.

LDK-ja thotë se Abrashi nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces, pasi i gjithë procesi i përzgjedhjes së drejtorit është bërë nga kompania britanike e kontraktuar nga institucionet e Kosovës, gjegjësisht nga kompania britanike ‘BDO LLP’ në partneritet me kompaninë ‘A & DC’, e cila ishte angazhuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në rekrutimin e kandidatëve për pozita të larta të institucioneve publike të Kosovës.

“Drin Haraçia ka qenë shërbyes civil në MAPL. Ndërsa, në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit është përzgjedhur nga britanikët, dhe ka qenë kandidati më i suksesshëm në intervistim. Ndërkaq, Arban Abrashi nuk ka të bëjë fare me këtë emërim. Konkursi ka qenë publik dhe ka pas të drejtë të konkurrojë çdokush”, thuhet në sqarimin e Shtabit të kandidatit të LDK-së për Komunën e Prishtinës. /KosovaPress