Duda Balje kërkon falje për deklaratën e saj

Deputetja gorane në Kuvendin e Kosovës , Duda Balje, katër komunave serbe në veri u është referuar si komuna të Serbisë, gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në të cilin ajo është kryetare.

Mirëpo, kjo deklaratë nuk ishte e qëllimshme. Në një prononcim për “Indeksonline”, deputetja ka sqaruar gjithë këtë situatë. Ajo thotë se si deputete boshnjake nuk ka asnjë arsye që të përkrah apo favorizoj cilëndo politikë të Serbisë që dëmton qytetarët e Republikës së Kosovës apo që shkel ligjet e Republikës së Kosovës.

“Nuk e lejoj asnjë gazetar dhe asnjë person ne Kosovë që për një gabim teknik e gjuhësor të më vendos në anën e gabuar proserbe dhe të dëmshme për Kosovën. Unë asnjëherë nuk kam mbështetur asnjë iniciativë politike të dëmshme për Kosovën. Unë kam mbështetur e votuar ne dobi dhe për zhvillimin e Kosovës çdo here do te veproj ne te njëjtën mënyre”, ka thënë ajo.

Më tej, Balje sqaron se çdo dite pune e saj është për Republikën e Kosovës dhe për të ardhmen e të gjithëve.

“Falënderoj koleget anëtare te Komisionit te cilët me kane mbështetur e me mbështesin ne punën tone te përbashkët. Ju kërkoj falje  qytetareve për gabimin teknik e gjuhësor  duke u munduar te flas ne gjuhen shqipe unë si boshnjake nuk kam shtet rezerve me gjuhen shqipe ashtu si e njoh unë do te vazhdoj te punoj e veproj se bashku me koleget e mi për Republikën e Kosovës shtetin tone te vetem. Për asnjë marketing e popullaritet publik gazetaresk e medial nuk lejoj qe dikush me nje gabim te paqellimshem teknik e gjuhësor te dëmtoje punën, angazhimin tim si deputete”, ka thënë ajo.  /Indeksonline/

Duda Balje i referohet katër komunave veriore si pjesë të Republikës së Serbisë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Koalicioni Vakat, Duda Balje, katër komunave serbe në veri u është referuar si komuna të Serbisë.

Kjo ndodhi gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në të cilin ajo është kryetare.

Në këtë mbledhja, derisa po raportonte Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, duke kaluar në pikën tjetër të rendit të ditës për raportim, katër komunave me shumicë serbe në veri ajo u është referuar si komuna të Serbisë.

 “Si pika e dytë është lidhur me diskutimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuara në katër komunat veriore të Republikës së Serbisë”, ka thënë ndër tjera deputetja Balje.

Për më tepër, Avokati i Popullit, gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka bërë të ditur bisedat që i kanë pasur me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) rreth çështjes së faturimit të rrymës së veriut në faturat e qytetarëve të pjesës tjetër në vend.

Sipas Avokatit, janë 8 milionë euro që janë inkasuar nga qytetarët për t’i mbuluar shpenzimet e rrymës në veri.

“Autoritetet me të cilat kemi korrespondenca zyrtare konfirmojnë se rryma e shpenzuar në veri inkasohet nga qytetarët e pjesës tjetër të vendit dhe vlera është 8 milionë euro. Kjo është një shkresë zyrtare e dhënë nga ZRrE-ja. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e ZRrE-së në takimet që i kemi pasur”, ka thënë Avokati i Popullit, Hilmi Jashari gjatë raportimit.

Ai ka bërë të ditur edhe arsyen e ZRrE-së për marrjen e këtij vendimi në vitin 2012. Thotë se zyrtarët e ZRrE-së i kanë thënë se mosmbulimi i shpenzimeve të energjisë në veri, do ta bankrotonte kompaninë KEDS dhe do të krijonte kolaps energjetik në vend.

“Kur i kemi pyetur se përse është zgjedhë kjo metodë me të cilën ngarkohen qytetarët tjerë për mbulimin e shpenzimet e veriut, na është thënë se, sikur të mos kishte ndodh kjo, atëherë KEDS-i do të bankrotonte si kompani, në vend do të shkaktohej një krizë energjetike dhe kishim pasur një kolaps energjetik në vend. Dhe kjo gjoja ka qenë prapavija për një vendim që e ka marrë ZRrE-ja në vitin 2012”, ka thënë Avokati i Popullit, Hilmi Jashari./Insajderi.com