Emërohet Drejtor në Dragash, por si deputet nuk e nënshkroi Pavarësinë e Kosovës

Komuna e Dragashit tashmë ka kompletuar institucionet qeverisëse dhe ashtu siç kemi njoftuar më parë janë zgjedhur edhe Drejtorët në bazë të koalicioneve të lidhura gjatë fushatës zgjedhore.

Njëra prej partive që përfaqësohet me një Drejtor është edhe Iniciativa Qytetare Gorane (GIG).

Kryetari i këtij subjekti, Mursel Halili, ushtron pozitën e Drejtorit për Mbrojte, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Komunën tonë.

Mursel Halili ka një karrierë të gjatë në politikë dhe ai kishte fatin të jetë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës në Periudha e Tretë Legjislative (13.12.2007 – 03.11.2010).

Siç e dimë deputetët e kësaj legjislature patën fatin të shpallin Pavarësinë e Kosovës dhe ta vendosin nënshkrimin në atë deklaratë.

Por një veprim të tillë nuk e bëri deputeti Murseli, tashmë Drejtor i Drejtorisë për Mbrojte e Shpëtim.

Në grup parlamentar me SLS

Kujtojmë se Mursel Halili për dallim nga deputetët tjerë boshnjak e goran që kishin krijuar grup parlamentar me minoritar jo serbë, vet ishte futur në grupin parlamentar të SLS-së serbe.

Ndërsa partia tjetër gorane JGP, e cila është e përfaqësuar po ashtu me një Drejtor në Dragash, në nivel qendrorë ishte në koalicion me Listën Serbe, koalicion ky që e ka shpërblyer edhe me pozitën e zëvendësministri. /Opoja Sot