Opozitari Halili: Kuadrot po na ikin, shihni drejtorët e emëruar së fundi

Kryetari  i NISMA Socialdemokrate në Dragash, njëkohësisht ligjërues universitar, Fatmir Halili, ka shprehur shqetësimin se popullsia po largohet nga komuna e Dragashit.

Halili ka shprehur shqetësimin sidomos për ikjen e kuadrove të kualifikuar nga komuna jonë, duke thënë së kjo vërehet edhe në emërimin e drejtorëve të rinj, ku shumica janë pa asnjë përvojë paraprake. /OpojaSot.com

Politika në zonat rurale, po varfërohet në vazhdimësi!

Ikja e qytetarëve nga fshatrat drejtë qyteteve, që është shënuar pas luftës, trend të njëjtë ka shënuar edhe në komunën e Dragashit. Për shkak të gjeografisë së veçantë që ka kjo komunë, me një terren malor dhe me një largësi të theksuar nga qytetet e vendit, ka bërë që largimi i qytetarëve të jetë më i theksuar, krahasuar me komunate e tjera të Kosovës.

Në veçanti klasa e njerëzve të shkolluar, të cilët kanë arritur grada të ndryshme shkencore, ka qenë e pamundur të gjejnë hapësirë për punë dhe avansim në profesion, në këtë komunë. Kjo, ka bërë që politikbërja të mbetet në duart e grupeve politike mediokre, gjë që shihet edhe nga drejtorët e emëruar së fundi, pjesa më e madhe e të cilëve nuk posedojnë asnjë përvojë paraprak, para se të emëroheshin drejtor.

Gjithashtu, largësia me qytetet e tjera, e sidomos me qytetin e Prizrenit, që është më i afërti për Dragashin, ku rrugëtimi për punë merr kohë dhe shpenzime, u ka imponuar shumë të punësuarve të bëjnë edhe zgjidhje për banim në këtë qytet, dhe të largohen nga Dragashi edhe si banorë.

Ikja e intelektualëve të shumtë, specialistëve të mjekësis, magjistrave dhe doktorëve të shkencave, jo vetëm që ka varfëruar jetën politike të Dragashit, por, mungesa e tyre është e ndjeshme në tërë jetën shoqërore të kësaj komune, siç është mungesa e mjekëve për fëmijë (pediatrove).

Fatkeqësisht, zonat rurale janë duke u zbrazur vazhdimisht, anë e kënd Kosovës, e posaçërisht nga të rinjët dhe klasa intelektuale, kjo për faktin se vështirë gjejnë kreativitet dhe atraktivitet në këto zona. Kjo gjendje e mungesës së intelektualëve të mirëfillt, ka sjellë varfëri në politikën lokale, munges të projekteve dhe ideve për zhvillim në pushtetin lokal, e që për rrjedhojë, qeverisja lokale ka ngel në duart e njerëzve pa përvoj, dhe në shumicën e rasteve edhe pa përgatitje të lartë arsimore. Për më tepër, kthimi i shkollarëve të shumtë dhe pasurimi me kuadro të mirëfillta, i komunës, shkollave, shtëpive të shëndetit, etj, litisht mund të thuhet që mbetet një mision i pamundur.