Hajriz Meleqi  për konkursin e arsimit në Dragash: U zunë me pelë për dore!

Rekrutimi i mësimdhënësve në Dragash po kontestohet nga shumë subjekte dhe personalitete akademike lokale.

Personaliteti i radhës që po e konteston mënyrën e përzgjedhjes së mësimdhënësve me konkursin e fundit është Hajriz Meleqi.

Ish-kryetari i Komunës së Dragashit në periudhën e administrimit të UNMIK-ut përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka shprehur shqetësimin e thellë për politizimin e skajshëm të arsimit në komunën tonë.

Meleqi ka përmendur testin e publikuar me përgjigje të sakta që pretendohet se u është shpërndarë disa kandidatëve para se të hyjnë në test, përcjell Opoja Sot.

Veterani i arsimit thotë “se testet e tilla janë shpërndarë edhe para ardhjes së kryetarit aktual, ka qenë punë e ditur, por ja që kanë munguar argumentet. E tani argumenti është. Në popull thuhet: “u zu me pelë përdore””.

Shkrimi i plotë
POLITIZIMI DHE NEPOTIZMI I TEPRUAR PO E DEGRADON ARSIMIN NË KOMUNËN E SHARRIT

Asnjëherë nuk kam menduar se do të shkruaj eventualisht për ndonjë dobësi të arësimit të komunës sime ku kam punuar për një kohë të gjatë. Kjo nuk don të thot se nuk ka pasur edhe gabime. Megjithate arsimi në komunën Sharrit ka qenë i krahasueshëm me nivelin mesatar kosovar. Kjo që do të shkruaj nuk e ka qëllimin e kritikës sa e ka të preventivës për ta depolitizue shkollën.

Nga momenti që një kryetar komune e jep betimin, ai zotohet se do të jet kryetar i të gjithve dhe se në mandatin e tij do të zotohet që komunën do t’a qojë përpara.

Të them të drejtën në zgjedhjet e fundit me pëlqyen të gjithë konkurentët për kryetar komune sepse të gjithë konkuronin për herë të parë dhe kishin një bagazh të konsideruar politik dhe të mirësjelljes.

Nuk kam argumente për punën e kryetarit aktual në përgjithsi, sepse fare pak kam njohuri për lëmitë tjera, përveç lëmisë arsimore.

Që në fillim kam vërejtur se në lëminë e arsimit, përkundër punës së mirë të ministrisë së arsimit e cila po i kryen obligimet ndaj arsimit të komunës sonë, pushteti lokal nuk po heq dorë nga politizimi i shkollës, zatën edhe po trash atë.

Shkas për të postuar këtë shkrim u bë videoja e një ansambleisti nga VV-ja me titull “Akuza për punsime politike në Dragash”, ku shpërfaqet shpërndarja paraprake e testeve të plotësura për kandidatët e preferuar të kryetarit të komunës gjë që në një mënyrë e paska pranuar edhe drejtori i këtij drejtorati e që jam i sigurtë se ai përsonalisht nuk e ka shpërndarë. Se testët e tilla janë shpërndarë edhe para ardhjes së kryetarit aktual, ka qenë punë e ditur, por ja që kanë munguar argumentët. E tani argumenti është. Në popull thuhet:”u zu me pelë përdore”. Kjo shpërndarje është vepër e rëndë penale.

Me ardhjen e kryetarit aktual, shpresuem se ndoshta do të fillojë depolitizimi i shkollës, pëkundrazi politizimi i shkollës sa po trashet edhe më tepër, krahas tij edhe nepotizmi.

Në mandatin e kryetarit aktual, dy herë u shpall konkursi për vendët vakante të cilat u krijuan me pensionimin e arsimtarëve.

Konkurset sikurse edhe herave tjera nuk qenë transparente dmth ka pas tentime të fshehjes. Ka argumente që kandidatëve të preferuar pa pengesa u janë pranuar dokumentët konkuruese, ndërsa kandidatëve të fortë por jo të preferuar nuk u është pranuar diploma e fakultetit të ktyer, sepse i paska kaluar afati. Si mund ti delë afati diplomës.

Do ta kuptoja kryetarin sikur të pranonte në punë kandidatin e partisë së tij me kushte të barabarta, ama të pranohet kandidati me notë mesatare gjashtë, pa të vetmin trajnim dhe të refuzohen kandidatët me notë mesatare mbi nëntë dhe me disa trajnime dhe me stazh pune, kjo nuk don koment. Kryetari nuk ndien përgjegjësi se arsimtari i dobët ka me përcjellur 40 gjenerata të fëmijeve tanë. Jo gjithmonë kryetari ka pranuar bashkëpartiak, në rastët e familjeve të pasura ka bërë edhe përjashtime. Një numër i kandidatëve të shkëlqyeshëm të cilët i ka refuzuar komisioni i kryetarit, janë pranuar në Prizren dhe kryetari në vend të tyre ka pranuar kandidatë më të dobët nga Prizreni, arsyen pse, e din vet ai dhe komisioni tij. Këti i thon shkëmbim i mirë i kuadrave.

Kryetari për t’i realizuar premtimet e dhëna ka ruajtur komisionin e mëhershëm lojal urdhërave të tij. Mundësia e cilësimit nga ky komision është shumë poshtë nivelit të profesorëve që kanë konkuruar e që i ka testuar ky komision. Kjo është edhe e keqja më e madhe sepse jo vetëm që nënçmohet kandidati por edhe fakulteti nga vjen kandidati. Ia përkujtoj kryetarit se Komuna e Sharrit ka kuadra shumë më të përgatitura si për përgatitjen e testeve ashtu edhe për cilësimin e kandidatëve.

Kam pas rastin të bisedoj me shumë kandidat ditët kur është organizuar testimi dhe fjalia e parë e tyre ishte: “profesor kemi ardhë me e bë rendin sepse sakt e dijmë kush ku ka me u pranue”, vertetë fjalët e tyre kanë dalur të sakta 100%. Kësaj radhe nuk e shoh të arsyeshme të shkoj edhe me emra.

Marifeti i manipulimit, qelësin e ka pas të formulimi i testit dhe të shpërndarja e tij paraprakisht. Si mundet një kandidat i matematikës, fizikës etj me u përgjegjë në 10 pyetje nga historia më mirë se sa kandidati të cilit i është dhënë paraprakisht testi me përgjigjet e sakta.

I nderuar kryetar si nuk të vret ndëgjegjja dhe nuk frikësohesh prej Zotit kur pranosh dy deri tre kandidatë po të njejtës familje, e në anën tjetër i refuzosh kandidatët e familjeve që jetojnë nga ndihmat sociale. Kryetar jam i bindur se ke bërë edhe punë të mira, por këtë që bëre që dy herë radhazi në arsim e ke bërë bërllog.

Me qenë në ndonjë komunë të madhe këto gjëra edhe nuk mund të hetohen, ama në komunën tanë të vogël shihet çdo e mirë dhe e keqe. Nëse i nderuari kryetar mundoheni të arsyetoheni se të gjitha këto nuk janë bërë me urdhërin tuaj gaboheni. Edhe po të ishte ashtu, nga ajo që nuk i keni parandaluar dhe nuk e keni marr mundin me i identifikuar fajtorët, përgjegjësia prap bie mbi ju.

Me dalleverët e kësa natyre që po bëni njejtë sikurse pararëndësi i juaj, përveç ndonjë fitimi eventual material, ju po ulni autoritetin përsonal, nga se po flitet në çdo mes, po ulni rejtingun e partisë nga jeni kandiduar dhe më e keqja po kontribuoni në degradimin e arsimit edhe për katër dekada që do të vijnë.

Mandati yt kryetar sa ka filluar. Ato që janë bëre, më nuk mund të zhbëhen. Shpresojmë se në të ardhmën do të rezononi dhe të bëheni më i arsyeshëm, ashtu si i kemi pasur pritjet.

Me sjelljet tua korekte, që ke pas pa u zgjedhur kryetar, të paktën me punësimet që ke bërë në arsim, na ke zhgenjye.