Ikja nga policia në Bresanë, ndërpritet dëgjimi i dëshmitarit kyç

Avokati Hajrip Krasniqi, të mërkurën, ka lëshuar sallën e gjykimit, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku po zhvillohej seanca gjyqësore ndaj zëvendëskomandantit të Stacionit Policor në Dragash, tani të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Eljam Seferi.

Një veprim të tillë, avokati Krasniqi, e bëri pas një përplasjeje verbale mes tij, kryetarit të trupit gjykues Artan Sejranin dhe anëtarit të tjetër, gjykatësin Nazim Vllaqo.

Këta të fundit, sipas avokatit Krasniqi, ndërhynin gjatë parashtrimit të pyetjeve nga ana e tij drejtuar dëshmitarit Mexhait Qerimi, i cili u dëgjua në këtë shqyrtim gjyqësor.

“Ju po më fyeni mua dhe profesionalizmin tim, kur nonstop ndërhyni gjatë parashtrimit të pyetjeve drejtuar dëshmitarit. Unë nëse dua 100 herë i përsëris të njëjtat pyetje se i di të drejtat e mia si avokat”, u tha kështu trupit gjykues, avokati Krasniqi e duke e lëshuar menjëherë sallën e gjykimit.

Kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani, pas këtij veprimi të avokatit, e ka ndërprerë seancën dhe e njëjta është shtyrë për 19 janar 2018, në ora 10:00.

Kurse, sa i përket avokatit Krasniqi, i cili si mbrojtës i të akuzuarit Eljam Seferi ishte caktuar sipas detyrës zyrtare, gjykatësi Sejrani deklaroi se nga ai do të kërkohet përgjigje zyrtare nëse do të vazhdoi ta përfaqësoi të akuzuarin edhe më tutje, në të kundërtën u tha se do të caktohet një mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare.

Ndryshe, Mexhait Qerimi, njëherësh dëshmitar kyç në këtë rast, deklaroi se tani i akuzuari Eljam Seferi, së bashku edhe me dy zyrtarë të tjerë policorë, kishin shkuar në shtëpinë e tij, për siç tha ekzekutimin e një urdhërese të lëshuar ndaj tij, për vuajtje të dënimit.

Mirëpo, sipas tij kjo urdhëresë nuk kishte arritur të ekzekutohej nga tani i akuzuari dhe kolegët e tij, sepse ai u kishte ikur atyre.

“Eljami më ka thënë se duhet me shku me ta, po unë nuk kam shku. I kam thanë që kinse po hi me i marr teshat në shpi, edhe kam ikë nga dera tjetër e shpisë”, deklaroi dëshmitari.

Meqenëse seanca u ndërpre gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari, i njëjti pritet të dëgjohet përsëri në seancën e 19 janarit.

Prokuroria Themelore në Prizren e akuzon Eljami Seferin se gjatë zbatimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktoj dobi personit tjetër.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi, më 1 qershor 2017, së bashku me zyrtarë tjerë policorë, ka shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit, për ta arrestuar sipas urdhëresës së gjykatës, por ka lejuar që i njëjti të arratiset.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Seferi pasi ka biseduar me Mexhait Qerimin rreth çështjes së arrestimit të tij, ka lejuar që i njëjti të futet në shtëpi, me pretekst që të përgatitet dhe më pas ai është arratisur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi nuk ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe kërkimin e tij, por pa lënë patrullë policore për të vëzhguar shtëpinë, e urdhëron ekipin policor që të largohet nga vendi i ngjarjes./betimiperdrejtesi

NGJARJE SI NË FILMA NË BRESANË, POLICËT TREGOJNË SI U KA IKUR I KËRKUARI QË KISHIN SHKUAR TA ARRESTONIN