Këta janë qent e Sharrit që luftojnë fytafyt me ujq dhe arinj

Fermeri i njohur, Abir Doda (Duljmen, 1982) nga Restelica/ Dragashi në llogarinë e tij në facebook ka postuar “ushtrinë” e tij me superqent e bjeshkëve të Sharrit/ Dragash.

Një racë e qenve kjo autoktone e krijuar në Ballkan, tepër e veçantë, aktualisht shumë e kërkuar nga pasionantët e qenve gjithandej Kosovës dhe në Evropë.

Ky qen i njohur është plot fuqi, i madh, këndrejt, qimegjatë dhe besnik (ruajtës i mirë). Ka lartësinë 67-75 cm, peshë: 40–60 kg, dhe është i gatshëm kurdoherë të luftoj fytafyt me ujq dhe arinj.

Ish presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova kishte vëmendje të veçantë për traditat e vjetra popullore shqiptare dhe në maj të 2005 kishte marrë pjesë në festivalin tradicional “Qentë e Sharrit” të organizuar në Dragash/ Kosovë.

Ibrahim Rugova në atë kohë u kishte sugjeruar vendorve që të kultivonin këtë racë qensh autokton tepër karakteristik, të cilët sot kërkohen nga shumë vendorë e ndërkombëtarë nga shtete të ndryshme të Evropës.

Abir Doda nga Restelica e Dragashit është një fermer i njohur që përveç qenve kultivon racën e deleve të Sharrit, në bjeshkët e Restelicës/ Dragashit që kufizojnë me Malin e Korabit/ Shqipëri- Maqedoni. Abir Doda është aksionerë i biznesit “Agro – Perspektiva” , sikurse është pronar i biznesit “Abir Duljmen B.I”, me seli në Restelicë/ Dragash.

Restelica gjendet në lartësi mbidetare mbi 1300 m, është njëri ndër fshatrat më të mëdha të komunës së Dragashit ku jetojnë mbi 5000 banorë, ndërsa thuajse gjysma tjetër e banorëve kanë emigruar kryesisht në Itali. Fshati ka rrugë të asfaltuara dhe është i njohur për prodhimin e Djathit të Sharrit, i cilësuar si ushqim bio shumë i kërkuar./opojasot.com