‘Komuna Gora’, Vetëvendosje drejton gishtin nga këta dy persona

Shqetësimeve të fundit për themelimin e të ashtuquajturës Komuna e Gorës i është bashkangjitur edhe Lëvizja Vetëvendosje – Sharr, shkruan Opoja Sot.

Ky subjekt politika nëpërmes një njoftimi publik të drejtuar qytetarëve, deputetëve dhe kabinetit qeveritar ka shprehur kundërshtimin për votimin e Demarkacionit kur kihet parasysh se pjesë e kësaj marrëveshje përflitet të jetë edhe themelimi i Komuna Gora.

Sipas njoftimit të Lëvizjes urë lidhëse e kësaj marrëveshje me Listën Serbe është deputeti Adem Hoxha, i cili voton edhe për kryetar të Beogradit edhe për strukturat paralele por edhe për kryetar të Dragashit. /OpojaSot.com

Më poshtë njoftimin e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje përkitazi më këtë çështje

Të nderuar qytetarë, të nderuar deputetë,
I nderuar kabinet qeverisës

Sot para jush po ofrohet të votohet një marrëveshje e padrejtë, që sipas qeveritarëve tonë na qon drejtë një zgjidhjeje (atë të liberalizimit të vizave).

Në fakt kjo marrëveshje do të jetë një thellim në problem, e jo zgjidhje siç po proklamohet.

Për ne qytetarët e Sharrit, më shqetësuese e bënë situatën fakti se është mësuar që për të arrituar pajtueshmëri me Listën Serbe për ta votuar këtë marrëveshje, iu është ofruar formimi i komunës së Gorës.

Ne si qytetarë, jemi të informuar se në qytetin tonë ekzistojnë struktura paralele serbe që udhëhiqen nga deputeti Adem Hodza, kontrollojnë shkollat, lëshojnë pensione për të moshuar të krahinës së gorës, si dhe dokumente të serbisë.

Së pari, Sharri si një ndër qytetet më të vogla të Republikës së Kosovës, është një qytet multietnik.

Nga 35 fshatra sa ka gjithësejtë kjo komunë 19 prej tyre janë të banuar me shqiptarë, ndërsa 16 me gorano – boshnjakë.(pra nuk ka asnjë serb të vetëm që jeton në këtë krahinë), gjë që nënkupton se është paradoksale të kërkohet formimi i një komune serbe.

Nuk është hera e parë që komuna jonë përfshihet në marrëveshje të tilla të lojrave politike. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitin 2013, vetëm se ndryshon protagonisti dhe qëllimi.

Në atë kohë protagonisti ishte ish kryetari i PDK- së, sot i ashtuquajtur president i vendit Hashim Thaçi dhe qëllimi ishte të sigurohej përkrahja nga komuniteti goran për zgjedhjet lokale që zhvilloheshin atë kohë, ndërsa sot e kemi protagonist kryeministrin e tanishëm Ramush Haradinaj dhe qëllimin, sigurimin e votave për të falur tokë.

Është interesant fakti, se urë lidhëse e këtyre marrëveshjeve kanë qenë dy njerëz, që gjithmonë kanë qenë edhe të pranishëm në institucionet tona.

Në 2013 Husmen Balzi, ku në atë kohë ishte zëvendësministër, dhe sot Adem Hodza që është deputet nē Parlamentin e Rep. të Kosovës.

Ky i fundit, si të themi është i vecantë sepse ka privilegje më shumë se cdo qytetar i Rep së Kosovës.

1. Adem Hodza voton për kryetar të komunës së Beogradit, për kryetar të strukturave paralele, si dhe për kryetar të komunës së Sharrit.

2. Adem Hodza është kryetar i partisë JGP, parti kjo që është e regjistruar në Kosovë por është edhe anëtar i këshillit të përgjithshëm të SNS, parti kjo e Vuçiqit.

Prandaj, ne nga komuna e Sharrit ju bëjmë thirrje që të mos pranohet ky kusht i Listës Sërbe, kusht ky që do të shkaktonte dëme të mëdha komunës sonë.

Si shumë herë, edhe në këto situata po vërtetohen konkludimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë se Kosova është shpallur shtet i pavarur por jo edhe sovran.

Prandaj mos lejoni që Kosova të bosnjëzohet, sepse historia s’do të flet më për luftën tuaj, por për tradhëtinë që ia bëtë pas lirisë.

Sinçerisht,
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Sharr