Kryetari ‘i varfër’ i Dragashit

Shaban Shabani tashmë zyrtarisht është certifikuar si Kryetar i Dragashit, dhe shumë shpejt do të bëj pranimin e detyrës nga paraardhësi i tij Salim Jenuzi.

Në deklaratën zyrtare të dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, i pari i Dragashit ka deklaruar një pasuri modeste, transmeton Opoja Sot.

Deklarata e cila mbanë datën 17 qershor 2017, tregon pasurin e Shaban Shabanit, i cili përveç pagës që kishte si kryesues  i Kuvendit Komunal, nuk ka të ardhura tjera.

Shabani ka deklaruar si pasuri në pronësi të tij, një shtëpi me sipërfaqe tre ari, me vlerë prej  30 mijë euro.

Pasuri tjetër e paluajtshme e të parit të Dragashit është edhe toka prej dy hektarëve, që ashtu si edhe shtëpia është pasuri e trashëguar.

Toka në pronësi të Shabanit është llogaritur nga ai të ketë vlerën prej 12 mijë eurove.

Shabani nuk ka detyrime financiare ndaj askujt, por nuk ka as para kesh të kursyera në ndonjë bankë.

Vlen për t’u theksuar se i pari i Dragashit nuk ka ndonjë veturë personale, por me të marrë postin e Kryetarit, ai e ka të lejuar me ligjet në fuqi ti përdor veturat e Komunës, madje do ta ketë edhe shoferin personal.

Paga e deklaruar e tij si Kryesues i Kuvendit Komunal sa ishte deri më tani, ishte 590 euro, por me të marrë detyrën paga dhe benificionet tjera si Kryetar do e kalojnë shumën prej 1 mijë euro në muaj. /Opoja Sot