LDK kërkon të anulohet procesi i votimit përmes postës në Dragash

Lidhja Demokratike e Kosovës, dëshiron të njoftojë opinionin se, sot, brenda afatit të paraparë ligjor, ka ushtruar katër ankesa që ndërlidhen me shkeljet e evdentuara në Zgjedhjet për Kryetar të Komunave (Raundi i Dytë) të mbajtura më 19.11.2017.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sikur në të kaluaren, edhe kësaj rradhe, synon që përmes ankesave të cilat janë të mbështetura plotësisht në prova të pakontestueshme, të korrektojë procesin zgjedhor, në secilin rast që janë evidentuar shkelje të cilat ndikojnë në shtrembërimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhje

Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet  e  Përgjithshme dhe atë për Zgjedhje Lokale, pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka paraqitur tri ankesa lidhur me shkeljet e evidentuara në Komunën e Prishtinës, Dragashit dhe Kamenicës si dhe një ankesë për Komunën e Istogut e ka ushtruar pranë Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në Komunën e Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj Arban Abrashi, konsiderojnë se kanë ndodhur disa shkelje, si ndikim i votuesve, mospërputhje dhe ndërhyrje në formularët e rezultatetve, mungesa e fletëvotimeve nga zarfet e fletëvotimeve me kusht, numër i madh i fletëvotimeve të pavlefshme etj. të cilat pastaj kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin përfundimtar të kandidatëve për Kyetar të Komunës së Prishtinës, me kërkesë që përmes rinumërimit të korrigjohen të gjitha këto shkelje.

“Në Dragash, ngjajshëm sikur edhe në rastin e Istogut, janë konstatuar shkelje të shumta në procesin e votimit përmes postës, prandaj edhe në këtë komunë kemi kërkuar që të anulohet procesi i votimit përmes postës dhe të parjashtohet rezultati i këtij proces për secilin kandidat, nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve për kryetar Komune”, thuhet në njoftimin e LDK-së, përcjell Opoja Sot.

Në Komunën e Kamenicës, shkelja e konstatuar e Degës së LDK-së, në këtë fazë, ka të bëjë me procesin e certifikimit të kandidatit për kryetar të Komunës së Kamenicës në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet Lokale, i cili  kërkon që kandidati të ketë qenë banorë së paku tri vite në komunën në të cilën kandidon, kurse nga provat e siguruara del se kandidati i VV-së është bërë banorë i Komunës së Kamenicës tek në muajin gusht të këtij viti (2017).

Për Istog, Lidhja Demokratike e Kosovës ka  kërkuar nga Gjykata Supreme që të ndryshohet vendimi i PZAP-it me të cilin është aprovuar ankesa e LDK-së si e bazuar, dhe të aulohet vetëm procesi i votimit përmes postë me qëllim që të mos shkohet në rivotim pasiqë procesi që është zhvilluar brenda komunës ka qenë i plotësisht i rregullt.

Lidhja Demokratike e Kosovës, duke shpresuar në vendime të drejta dhe të bazuara në rregullativën ligjore që rregullon këtë fushë, beson se organet kompetente nuk do të bien pre e presioneve dhe kërcënimeve të askujt, por vendimet e tyre t’i nxjerrin në frymën e ruajtjes së integritetit zgjedhor dhe ruajtjes së besimit të qytetarëve në këtë proces. /Opoja Sot