Ministri Demiri në Dragash: Regjionet e Kosovës në mënyrë të barabartë do të kenë qasje në investime

“Qëllimi ynë kryesor është të mbështesim biznesin familjar dhe sekondar përmes granteve dhe projekteve kapitale dhe të krijojmë vende të reja pune, për të ndaluar zhvendosjen e qytetarëve në relacion fshat-qytet, por edhe jashtë vendit“, tha Rasim Demiri Ministër i Zhvillimit Rajonal në takimin me zyrtarët e komunës së Dragashit të kryesuar nga Kryetari Shaban Shabani.

“Unë mendoj se ky takim do të kontribuojë në përmirësimin e Dragashit në të gjitha sferat e jetës dhe kjo vizitë është mbështetje në çdo plan, madje edhe në planin ekonomik”, tha Kryetari i Komunës së Dragashit Shaban Shabani.

Në një atmosferë miqësore të dy bashkëbiseduesve, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve në projekte kapitale dhe të projekteve të tjera, në zonën më jugore të Kosovë, komunë etnikisht të përzier, Ministri Demiri theksoi veçanërisht se Ministria e tij do të “kujdeset që të gjitha rajonet e Kosovës të fitojnë një mundësi në qasje në investime”.

“Qëllimi i Ministrisë sonë është të krijojë bashkëpunim dhe ekuilibër me të gjitha rajonet në vend. Ne fonde të ndara nga Ministria, prej katër milionë, i kemi ndarë në tre kategori të dedikuara; në kategorinë e parë për projekte individuale – për ata që sapo po fillojnë një biznes, në kategorinë e dytë për individët që kanë një firmë për të paktën dy vjet dhe në të tretën për më shumë se dy vjet. Pra, për kategorinë e parë ne ndajmë deri në 5,000 euro, për të dytën 10,000 euro dhe për të tretën 20,000 euro “, theksoi Ministri Demiri.​