Ministria e Arsimit: Ismet Lecaj, mësimdhënësi më i mirë në komunën e Dragashit

Ismet Lecaj nderohet me mirënjohje nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si mësimdhënësi më i mirë në Komunën e Dragashit, shkruan Opoja Sot.

Ismet Lecaj i lindur në Brezne më 1953, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në Bellobrad. Shkollën e mesme – gjimnazin në Prizren e SH. L. P. -drejtimin Gjuhë shqipe e Letërsi në Prizren.

Fakultetin Filozofik me të njëjtin drejtim e vazhdoi në Prishtinë.

Nga viti 1975 filloi të punojë në shkollën fillore ‘Shaban Shabani’ në Llopushnik, kurse nga viti 1997 vazhdoi punën në gjimnazin ‘Ruzhdi Berisha’ në Dragash.

Që vitin e parë filloi të demonstrojë vlera prej pedagogut të vyeshëm në procesin edukativo-arsimor, e ajo që e bën më të madh personalitetin e tij janë aktivitetet e lira në fushën e folklorit burimor, të cilin e demonstronte në Revistën e Folklorit Burimor në Drenas deri kur u ndaluan vlera të tilla nga policia serbosllave.

Kontribut të çmuar kishte edhe me recitimet artistike për çdo vit duke treguar mjeshtrinë e vet prej ushtruesit të mrekullueshëm.

Ndaj disa here zuri vendin e parë me recituesit e vet dhe duke prfaqësuar Kosovën në Velika Pllanë të Serbisë. Me folklorin burimor Kosovën e përfaqësoi në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit Burimor që mbahej në Zagreb. Atje ishte në vitin 1982 në bashkëpunim me gjimnazin e atëhershëm ‘Emin Duraku’.

Ishte Kryetar i klubit letrar ‘Luigj Gurakuqi’ nga viti 1990 e gjer pas luftës si dhe si redaktor e lektor i revistës ‘Sharri’ gjer më sot. Ka shkruar mbi 90 libra, ndërsa kohëve të fundit është duke shkruar autobiografinë e vet për punën mbi gjysmëshekullore me titullin “Nga syri i kaltër i një skene”.

Vazhdon të shkruajë dhe të jetë shumë frytdhënës në të njëjtat drejtime.