Nderim për profesor Ismail Rexhepi (1947-2016)

Më datë 13 nëntor 2016 u nda nga jeta profesori, historiani, punonjësi shumëvjeçar i Arkivit të Kosovës dhe një nga njohësit më të mirë të arkivistikës në vendin tonë, profesor Ismail Rexhepi.

Ismail Rexhepi u lind më 3 nëntor 1947 nga babai Bushra dhe nëna Meleqe, në fshatin Bresanë të Opojës. Vjen nga familja e myderrizit të shquar të medresesë së Opojës, haxhi Rexhep ef. Ismailit (1871-1956), më saktësisht është nipi i tij. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm e vazhdoi në Medresenë ‘Alaudin’ në Prishtinë. Në vitin 1972 diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë në grupin ‘Histori-Gjeografi’.

Me të përfunduar Shkollën e Lartë, filloi punën në shkollën fillore ‘Zenel Salihu’ në fshatin Bardh i Madh (ish-Bellaçevc) të Fushë Kosovës. Nga 13 nëntori 1973 deri më 13 tetor 1974 kreu shërbimin ushtarak, ku mori gradën rreshter dhe pas shërbimit ushtarak përsëri vazhdoi mësimdhënien në të njëjtën shkollë deri më 6 nëntor 1978.

Krahas punës si mësimdhënës, ai vazhdoi studimet në Degën e Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinë, të cilat i përfundoi me rezultate të larta ku mori titullin profesional ‘Profesor i Historisë’.

Në Arkivin e Kosovës filloi punën në vitin 1978, në pozitën Shef i Shërbimit për mbrojtjen e lëndës arkivore. Kishte prirje dhe vullnet të veçantë për mësimin e gjuhëve të huaja, gjë që edhe arriti të përvetësonte gjuhën serbokroate, angleze, arabe dhe osmane.

Në tetor 1981, nga shërbimi i mëparshëm në Arkivin e Kosovës, kaloi në detyrën Shef i shërbimit të Deposë. Ai për aq sa punoi në Arkivin e Kosovës, deri në pensionim, më 3 nëntor 2012, ka ushtuar detyra me përgjegjësi profesionale dhe morale. Ishte Shef i Shërbimit të përpunimit të lëndës arkivore, Shef i Shërbimit të Deposë, Udhëheqës i sektorit për mbrojtjen dhe regjistrimin e lëndës arkivore, koordinator, etj.

Rrethanat e krijuara në vitin 1989 në Kosovë, profesor Rexhepin e goditën të parin në Arkiv nga instalimi i administratës së dhunshme të ashtuquajtur ‘udhëheqje e përkohshme’ dhe kjo ishte e kuptueshme kur kihej parasysh përgatitja dhe pesha profesionale e tij. Kështu, më 5 dhjetor 1990 të parit punonjës të Arkivit të Kosovës që i ndërpritet dhunshëm marrëdhënia e punës ishte ai.

Ismaili
Prof. Ismaili në ambientet e Arkivit të Kosovës

Nga viti 1994 deri më 28 qershor 1999, punoi profesor i gjeografisë në medresenë ‘Alaudin’, paralelja e ndarë në Prizren. Nga viti 1995, meqë kishte edhe këtë përgatitje që nga familja dhe nga shkolla e mesme, punoi si imam në Prizren dhe më pas nga aty transferohet në Gjakovë si imam i xhamisë kryesore të ‘Hadim Agës’ dhe kryeimam për Këshillin e Bashkësisë Islame të Gjakovës ku dha kontribut të çmuar. Gjatë kohës sa ishte në Gjakovë ndihmoi dhe u angazhua në faljen e gjaqeve, si dhe ishte dëshmitar dhe prijës i kryerjes së riteve fetare të shumë dëshmorëve dhe viktimave nga lufta e fundit në rajonin e Gjakovës.

Gjatë kësaj periudhe, në cilësinë e të parit të KBI të Gjakovës pati disa herë takime zyrtare me misione ndërkombëtare të cilat vëzhgonin situatën e zhvillimeve të luftës në Kosovë.

Gjithashtu dha një ndihmesë të theksuar edhe në financimin e luftës, duke grumbulluar dhe bartur mjete aty ku e kërkonte nevoja, për të cilën punë iu nda Mirënjohje nga Këshilli Komunal për Financim në Prizren për nder të Ditës së Flamurit, më 28 nëntor 1997.

Ndjekja nga Kosova e popullit shqiptarë – në pranverën e vitit 1999, profesorin e shpuri në kampin e Kukësit, me ç’rast ofroi ndihmë të veçantë në organizim të mbarëvajtjes së jetës së të ndjekurve nga Kosova.

Ismail Rexhepi në nëntorin e vitit 2016 u nda kjo botë. Kosovës i la tre djemtë: Nevahiun, Fazliun dhe Muaviun, si dhe plotë nipa e mbesa!

Puna e gjatë dhe këmbëngulëse e profesor Ismailit në Arkivin e Kosovës qe rezultat i një përpjekjeje të gjatë në fushën e arkivistikës. Ai u shqua për punë të palodhur në përpunimin, sistemimin dhe zbatimin praktik dhe me kritere shkencore të dokumenteve dhe lëndës arkivore. Shquhej për optimizmin dhe pozitivizmin e tij, për dashurinë ndaj dijes, njerëzve dhe vendit. Kishte një kulturë të gjerë dhe me të mund të bisedohej për shumë çështje. Ishte person me vlera të dëshmuara e të verifikuara në shumë fusha kulturore e shkencore. Ishte i palodhshëm dhe i gatshëm në çdo kohë të shpjegonte arkivistikën, sidomos t’u jepte përgjigje çështjeve që ishin delikate dhe më të ndjeshme.

Profesor Rexhepi do të mbetet i përmendur, i vlerësuar dhe i paharruar për punën e tij në përpunimin dhe evidentimin e dokumenteve në gjuhën osmane, duke na dhënë një pasqyrë të përgjithshme të atyre dokumenteve me botimin e dy vëllimeve: ‘Dokumentet në gjuhën osmane në Arkivin e Kosovës’, Vëllimi I-II, 2004 dhe 2013.

Në punën e tij profesor Ismail i kushtoi kujdes të madh dhe vëmendje të shtuar sidomos kualifikimit të punonjësve arkivorë të Arkivit të Kosovës dhe atyre të fondkrijuesve. Gëzohej dhe lumturohej me sukseset dhe arritjet e kuadrove të reja.

Arkivistët do t’i kujtojnë me respekt leksionet dhe seminaret e zhvilluara nga profesori i tyre Rexhepi, mungesa fizike e të cilit do të ndjehet dukshëm, por fjalët dhe këshillat e tij sigurisht që do të gjallojnë për një kohë të gjatë.

Krahas veprimtarisë në fushën e arkivistikës profesor Rexhepi u dallua edhe në fushën e historisë dhe trashëgimisë shqiptare Islame, duke i lënë shkencës dhe kulturës shqiptare një mori kontributesh që kurrë nuk do të zbehen dhe do të jenë në shërbim të brezave që vijnë.

Angazhimin e tij kreativ e dëshmojnë kontributet e shumta, një pjesë të të cilave po i përmendim në vijim.

A. Monografi
Autor dhe bashkëautor
– Ismail Rexhepi, ‘Dokumentet osmane në Arkivin e Kosovës’, Vëllimi I, 2004
– Ismail Rexhepi, ‘Dokumentet në gjuhën osmane në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës’, Vëllimi II, 2013
– Grup autorësh, ‘Fondet dhe koleksionet arkivore në RSFJ-KSA-Kosovë’, 1986
– Grup autorësh, ‘Udhërrëfyesi i fondeve dhe koleksioneve arkivore’, Vëllimi II, 2003
– Grup autorësh, ‘Udhërrëfyesi i fondeve dhe koleksioneve arkivore’, Vëllimi III, 2004

Përkthyes
– Ahmet Behxhet, All-llahu – të konceptuarit islam dhe besimi, Prizren 1994.
– Mustafa Mahmud, Kur’ani, përpjekje bashkëkohore për ta kuptuar, Prizren, 1997.
– Ebu-l- a’la El- Mewdudi, Parakushtet themelore për të kuptuar Kur’anin, Prizren, 1998
– Emir Shakib Arsllan, Pse muslimanët kanë ngecur, e të tjerët kanë përparuar, Prizren, 2002
– Dr. Abdulbasit Muhammed es-Sejjid, Të ushqyerit sipas të Dërguarit a.s.- ushqimi midis sëmundjes dhe ilaçit, Prishtinë, 2009.
– Amër Halid, Rrëfime që udhëzojnë, Prishtinë, 2009.
– Amër Halid, Morali i besimtarit, Prishtinë, 2009.
– Dr. Hasan Kaleshi, Dokumentet më të vjetra të vakëfeve në gjuhën arabe në Jugosllavi, Prishtinë, 2012.

B. Kontribute të botuara në periodikun e kohës

1. “Vjetari i Arkivit të Kosovës” – Prishtinë
– Depoja e Arkivit dhe vendosja e lëndës arkivore, “Vjetari”, nr. 14 – 15, (1978 -1979), 1982, f. 385 – 390.
– Cili ishte vendimi i gjyqit kushtetues të ish-RSFJ-së për deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990, “Vjetari”, nr. 35 – 36/2006, f. 489 – 494 (bashkautorë).
– Depoja e Arkivit, “Vjetari”, nr. 35–36/2006, f. 539–546.
– Historiku dhe mbrojtja e lëndës arkivore, “Vjetari”, nr. 20/1985, f. 205–211.
– Formimi i fondit arkivor, “Vjetari”, nr. 23/1987, f. 449 – 454.
– Dokumentet arkivore dhe rëndësia e tyre, “Vjetari”, nr. 29–30/2003, f. 573 – 582.
– Valorizimi i dokumenteve arkivore, “Vjetari”, nr. 33 – 34/2005, f. 371 – 376.

2. “Studime Orientale” – Prishtinë
– Salih Trako, Beteja e Kosovës e vitit 1389 në historinë e Idris Bitlisit, “Studime Orientale”, 2/2002, Prishtinë, f. 153-175.
– Divna Gjuriq – Zamolo, Kontribut për njohjen e xhamive të Beogradit, “Studime Orientale”, 2/2002, Prishtinë, f. 177-190.
– Fehim Bajraktareviq, Një burim bashkëkohor persian për Betejën e Kosovës, “Studime Orientale”, 3/2012, Prishtinë, f. 39-59; I njëjti edhe në librin: Feti Mehdiu, Reflektime të luftës së shqiptarëve për pavarësi, Prishtinë, 2012, f. 125-156.

3. “Perla” – Tiranë
– Mehmet Kico, Letërsia islame në mes arabizmave dhe arabistikës, “Perla”, Tiranë, 2015.
– Adil Ebu Shanab, Teatri palestinez në territorin e okupuar, (në: Feti Mehdiu, Për letërsinë arabe, Prishtinë, 2005, fq. 165-175).
– Sallah Abdussabur, Abbas Mahmud al- Akkad figure kontradiktore, (në: F. Mehdiu, Për letërsinë arabe, 2005, Prishtinë, fq. 198-218).

4. “Dituria Islame” – Prishtinë
– Haxhi Rexhep Ismaili (1871-1956), “Dituria Islame”, nr. 77/ 1996, f. 50.
– Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Prishtinë me rrethinë më 1943-1944, (bashkautor), “Dituria Islame”, nr. 136/ 2001, f. 45-50.
– Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Gjakovë me rrethinë ndërmjet dy luftërave botërore, (bashkautor), “Dituria Islame”, nr. 142/2002, f. 45-48.
– Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Prishtinë me rrethinë më 1943-1944, II, (bashkautor), “Dituria Islame”, nr. 143/ 2002, f. 48-50.
– Mbresa nga Haxhi, “Dituria Islame”, nr. 163/2004, f. 62.
– Në kujtim të ditëlindjes së më të madhit njeri – Muhammedit a.s., “Dituria Islame”, nr. 165/ 2004, f. 19-21.
– Hysein Xhozo, Të rinjtë dhe religjioni, “Dituria Islame”, nr. 138/ 2001, f. 21-23.
– Salih Çollakoviq, Si jemi të edukuar, “Dituria Islame”, nr. 144-145/ 2001, f. 27-28.
– Hysein Xhozo, Agjërimi, “Dituria Islame”, nr. 148/ 2002, f. 18-21.
– Muhamed Qutub, A është tejkaluar feja, “Dituria Islame”, nr. 156-157/ 2003, f. 13-14.
– Dr. Jusuf Ramiq, Kaptina El-kadër (Nata e Kadrit), “Dituria Islame”, nr. 159/2003, f. 45-46.
– Sami Zemni, A ka vend islami në Evropë, “Dituria Islame”, nr. 162/ 2004, f. 34-36.
– Shefko Omerbashiç, Ibn Halduni, “Dituria Islame”, nr. 167/ 2004, f. 45-46.
– Dr. Xhemaludin Latiq, Synimet e ixhtihadit tonë, “Dituria Islame”, nr. 179/ 2005, f. 20-23.
– Mr. Mustafa Prlaça, Para përendimittë diellit (ose: A kanë ngecur myslimanët për shkak të moszbatimit të Shpalljes), “Dituria Islame”, nr. 188/ 2006, f. 14-16.

5. “Edukata Islame”, Prishtinë
– Mustafa, Spahiq, Pamje të Amerikës, “Edukata Islame, nr. 65/2001, fq. 135-157.
– Hysein Xhozo, Problemi i prapambeturisë së përgjithshme, “Edukata Islame”, nr. 67/2002, fq. 151-162.
– Hysein Xhozo, Husein, Etika si element shumë i rëndësishëm i lumtu¬risë dhe kënaqësisë së përgjithshme, “Edukata Islame”, nr. 73/2004, f. 33-42.
– Glisha Elezoviq, Tarabhaneja (Derb –Haneja) në Nova Bërdë –Akçe (Aspra) Osmane të farkuara në farëkatarinë e Nova Bërdës, (bashkpërkthyes), “Edukata Islame”, nr. 80/2006, f. 233-252.
– Hasan Kaleshi – Ismail Eren, Mahmut Pashë Rrotulla nga Prizreni –përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij, (bashkpërkthyes), “Edukata Islame”, nr.81/2006, fq. 151-189.
– Dr. Hasan Kaleshi, Veziri i madh Koxha Sinan Pasha – përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij, 2007, (bashkpërkthyes), “Edukata Islame”, nr. 82/2007, fq. 95-144.
– Hasan Kaleshi–Rexhep Ismaili, Kukli Begu dhe vakëfnameja e tij, (bashkpërkthyes), “Edukata Islame”, nr.83/2007, fq. 201-224.
– Dr. Hasan Kaleshi, Vakëfnameja dhe vakëfet e Sunkur Çaush begut nga Manastiri, (bashkpërkthyes), “Edukata Islame”, nr. 86/2008, fq. 123-143.
– Enes Kujunxhiq, Transferimi i shkencave greke dhe arabo-islame në perëndim përmes al-Andaluzisë, “Edukata Islame”, nr. 95/2011, fq. 177-195.
– Maxhida Beqirbegoviq, Objektet arsimore fetare islame të arkitekturës në Kosovë, “Edukata Islame”, nr. 102, Prishtinë 2013, f. 108-140.
– Muxhait Asimov, Monumentet mbivarrore në gjuhën osmane në Kosovë, “Edukata Islame”, nr. 103, Prishtinë, 2013, f. 167-184.
– Mehmet Kico, Letërsia islame në mes arabizmit dhe arabistikës – Feti Mehdiu dhe punimet e tij në gjuhën boshnjako-kroato-serbe, “Edukata Islame”, nr. 109, Prishtinë 2015, f. 241-258. /Opoja Sot

Autor: Dr. Sadik Mehmeti