Në pritje të kota!

Shoqëria kosovare jo rastësisht vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta ekonomike e sociale. Çdo ditë e më shumë secili nga ne po bindet me realitetin në të cilin po jetojmë. Ky realitet, është zhvillimi ekonomik me ecje të breshkës, këtu e tetëmbëdhjetë vite, për më keq, pa ndonjë dritë në fund të tunelit.

Liberalizimi i vizave, është premtimi që nuk gjejnë shlyerje nga programet e partive për disa palë zgjedhje, rritja ekonomike është fraza më e përmendur në gjuhën e secilit politikan, por, më e pabesueshme tek secili qytetar, ngritja e cilësis në arsim, afrimi i shërbimeve më të mira shëndetësore, etj, siç duket kanë ngelur ëndërr e parealizuar për qytetarin e këtij vendi. 

Të gjitha pritjet këtu e tetëmbëdhjetë vite, shihen të kota nga secili qytetar. Zhgënjimin për këtë gjendje, të papunësisë enorme dhe humbjen e shpresës së qytetarit për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme e gjejnë tek çdo i ri i kësaj shoqërie. 

Kjo gjendje nuk mund të ndryshohet me këtë klasë politike të pavlerë. Gjuha e vrazhdë dhe vulgare, fyerjet publike ndaj njëri tjetrit, gjuha e pistë nëpër rrjetet sociale, sjelljet e pahijshme dhe pa edukatë, janë përditshmëria e shumicës së politikëbërësve kosovarë. 

E gjithë kjo nuk ka ardhur rastësisht, por është pasoj eksplicite e partive politike. Që nga paslufta, politika është parë si një lojë e njerëzve me muskuj. Partitë politike kanë qenë të stërmbushura me analfabet, por edhe të udhëhequra nga ta, njerëz që nuk kishin dijen elementare për politikbërje, e fatkeqësisht, soji i tillë i politikanëve, vazhdon të jetë prezentë, dhe me ndikim edhe sot e kësaj dite në partitë politike. 

Pa parti politike të mirëfillta, me demokraci të brendshme, ku dominon meritokracia dhe vlerat, me njerëz të shkolluar mirë që njohin proceset politike, do të jetë i vështirë krijimi i qeverisjes normale që mendon për shtet.

Demokracia nënkupton konkurrencë idesh dhe projektesh ndërmjet partive politike, fatkeqësisht, në politikën kosovare projektet dhe idetë janë dytësore, për të mos thënë që nuk ekzistojnë fare. Edhe kjo është rrjedhojë pikërisht e analfabetizmit të partive politike, ç’është më keq, njerëzit e fuqishëm brenda partive kanë ushtruar ndikimin e tyre edhe në institucionet universitare, në këtë formë janë pajisur edhe me diploma, andaj, tani mund të shprehemi lirshëm se kemi të bëjmë me parti të analfabetëve me diploma.

Përfundimisht, nga kjo klasë e politikanëve presim kot zhvillime pozitive. Reformimi i partive është imperative dhe imediate, për të krijuar një qasje të re në politikën kosovare, e si rrjedhojë edhe ndaj qeverisjes dhe ndërtimit të shtetit dhe demokracisë. /Opoja Sot

Autor: Fatmir Halili – Është Kryetar i ‘Nisma për Kosovën’, dega në Dragash dhe ish-kandidat për Kryetar të komunës së Dragashit.

Opinioni i shprehur është vetëm i autorit dhe jo domosdoshmërish reflekton pikëpamjet e Opoja Sot.