Nga bimët mjekësore te peshqit, Komuna e Dragashit me pasuri të shumta [Grafiku]

Komuna e Dragashit nga viti 2011 – 2015 ka përpiluar një dokument i cili do të drejtojë ruajtjen dhe shtimin e biodiversitetit.

Opoja sot ka nxjerrë disa pika që po u prezantojmë më poshtë.

Gjendja e tanishme  e ujërave në komunën tonë

Komuna e Dragashit është e pasur me burime ujore. Komuna ka rrjet të dendur hidrografik i cili i takon pellgut të Detit Adriatik.

Komunën e përbëjnë dy lumenjtë kryesor me degët e veta: lumi i Pllavës dhe lumi i Restelicës. Lumi i Pllavës buron në afërsi të Gurit të Zi, ky është edhe burimi i lumit të Zapllugjës në malet e Sharrit.

Degët e këtij lumi janë: lumi i Bresanës, lumi i Kukit, lumi i Kosavës, lumi i Rrencit – që i takojnë regjionit të Opojës, pastaj lumi i Radeshës, lumi i Leshtanit, lumi i Brodit – që i takojnë regjionit të Gorës.

Në bazë të të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës prurja mesatare ujore në pikën matëse në Orqushë është 5.26 metra kub/sek (të dhënat e viteve të para luftës).

Përveç lumenjve, ky regjion është i pasur edhe me liqene.

Liqenet më të njohur janë: liqeni i Breznës që gjendet në një lartësi mbidetare prej 935m i cili furnizohet me ujë nga përroska e quajtur Ostrika ku burimin e ka në malet e Pllavës dhe Buqës, dhe liqenet e Sharrit (sythat e Sharrit) si të tillë janë mbi 20, në lartësinë mbidetare prej 2050-2500m.

Harta e biodiversitetit

BIODIVERSITETI DHE TRASHËGIMIA NATYRORE

Mbrojtja dhe konservimi i natyrës dhe llojeve të ndryshme të gjallesave, gjatë këtyre dekadave të fundit (20 viteve) është bërë bazë e çdo politike mjedisore, pothuaj se të gjitha shoqëritë filluan ta pranojnë se mbrojtja e natyrës është një kategori zhvillimore esenciale për njerëzimin.

Gjendja e tanishme

Bota bimore dhe shtazore dhe vlerat tjera të natyrës në përgjithësi në komunën e Dragashit paraqesin burim potencial për zhvillimin e aktiviteteve edukativo arsimore-shkencore dhe kërkimore hulumtuese për vizitorët e ndryshëm.

Këtu janë prezent llojet e bimëve që i takojnë elementeve floristike: mezofile, kserofile, frigorifile dhe arko-alpike në kuadër të cilave rëndësi të veçantë kanë bimët endemike.

Pjesa e maleve e cila lidhet me Koritnikun paraqet një zonë me vlera të rralla natyrore dhe konsiderohet si rezervat për disa lloje të bimëve.

Llojet drunore

Llojet drunore që marrin pjesë në përbërjen e pyjeve janë: ahu (Fagus moesiacae), bredhi (Abies alba), panja gjethërrumbullakët (acerobtusatum), panja gjethërrapi (acer pseudoplatanus), bungu (quercus petrea), qarri (quercuscerris), shkoza e zezë (ostya carpinifollia), shkoza e bardh (carpinus orientalis), qershia e egër (prunus avium), mështekna (betula pendula) e tjera, ndërsa llojet e drurëve të rralla dhe endemike janë bashkësia e bimore e dioskores me shkozën, bashkësia bimore e lajthisë me mëllënzën dhe sipërfaqet më të mëdha të pyjeve të rrobullit (pinetum heldreichi).

Fauna

Territori i komunës së Dragashit është i pasur në pikëpamje faunistike, në të janë prezent llojet e veçanta të shtazëve të cilat janë të përhapjes së ngushtë por edhe llojet e përhapjes së gjerë, ndër to janë: Peshqit (pisces), ujëtokësoret (amphibian), zvarranikët (reptilian), gjitarët (mamalia), insektngrënsit (insektivora), brejtësit (rodentia), mishngrënësit (carnivore), jopërtypësit, ripërtypësit dhe shpendët.

Duhet ta dini se një pjesë e maleve të Sharrit është shpallur park nacional dhe i mbrojtur me ligj, ndërsa pjesa e maleve të Sharrit që i takon komunës tonë ende nuk është shpallur, prandaj synimi ynë kryesor është që edhe këto pjesë të maleve të Sharrit ti bashkëngjitet këtij parku nacional, dhe vënien e këtyre sipërfaqeve të reja nën mbrojtjen e ligjit.

Pyjet

Një zgjedhje efikase kundër shkatërrimit të resurseve pyjore është ndërmarrja e një hapi drejtë menaxhimit të qëndrueshëm.

Shfrytëzimi i qëndrueshëm i pylltarisë sjellë baraspeshën mes nevojave ekologjike dhe atyre ekonomike duke ofruar një mënyrë alternative përballë formave shkatërruese të eksploatimit të pyjeve si prerja e pa kontrolluar, kullotja e bagëtisë, vjelja./opojasot.com