Ngjarje si në filma në Bresanë, policët tregojnë si u ka ikur i kërkuari që kishin shkuar ta arrestonin

Policët, Nurullah Qazimi, Hajri Sadiku, Qerim Sylejmani, Besfort Kolloni dhe Imet Hasani, të martën, kanë dëshmuar në gjykimin kundër zëvendëskomandantit të policisë në Dragash, Eljam Seferit, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Dëshmitarët kanë thënë se në ditën kritike kur kanë shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit, për ta arrestuar atë sipas urdhëresës së gjykatës, i njëjti i ka pritur me armë në dorë dhe ka refuzuar fillimisht që të dorëzohet.

Sipas dëshmitarëve, i dënuari Qerimi, armën e zjarrit nuk e kishte drejtuar asnjëherë drejt policëve por se e kishte mbajtur në drejtim të tokës, ndërsa më pas u kishte thënë se dëshiron të bisedojë vetëm me Eljam Seferin, përndryshe nuk do të dorëzohet fare.

Dëshmitari Qerim Sylejmani ka treguar të gjithë policët janë larguar nga oborri i shtëpisë dhe aty ka mbetur vetëm i akuzuari Seferi me të kërkuarin Qerimi, ndërsa pas 30 minutash kishte dalë nga oborri i akuzuari dhe kishte thënë “Më preu në besë Mexhait Qerimi”.

Sipas këtij dëshmitari, i akuzuari u ka thënë atyre se i kërkuari ka hyrë në një aneks-shtëpi kinse për të marrë disa gjëra dhe më pas ka ikur.

Dëshmitarët kanë thënë se kanë kontrolluar vetëm aneks-shtëpinë prej ku ka ikur i kërkuari ndërsa më pas më urdhër të të akuzuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes për në stacion policor për të ndërmarrë veprime ndaj të kërkuarit.

Dëshmitarët janë pyetur nga prokurori se pse nuk kanë ndërhyrë për të arrestuar të kërkuarin, ndërsa ata janë përgjigjur se në afërsi të të kërkuarit kanë qenë edhe djali, gruaja dhe nëna e tij andaj nuk kanë mundur të kryejnë veprime duke pasur parasysh që ai ka pasur edhe armë në dorë.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, në pajtim me palët në procedurë, seancën e radhës e ka caktuar për 27 dhjetor 2017, në ora 13:30, në të cilin pritet të dëshmojë Mexhait Qerimi, i cili është në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren e akuzon Eljami Seferin se gjatë zbatimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktoj dobi personit tjetër.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi, më 1 qershor 2017, së bashku me zyrtarë tjerë policor, ka shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit, për ta arrestuar sipas urdhëresës së gjykatës, por ka lejuar që i njëjti të arratiset.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Seferi pasi ka biseduar me Mexhait Qerimin rreth çështjes së arrestimit të tij, ka lejuar që i njëjti të futet në shtëpi, me pretekst që të përgatitet dhe më pas ai është arratisur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi nuk ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe kërkimin e tij, por pa lënë patrullë policore për të vëzhguar shtëpinë, e urdhëron ekipin policor që të largohet nga vendi i ngjarjes./betimiperdrejtesi