Pa një shoqëri të emancipuar nuk mund të ketë demokraci të zhvilluar!

Zhvillimi i demokracisë në një shtet është refleksion i drejtpërdrejt i zhvillimit të shoqërisë që jeton në atë vend. Pa një shoqëri të emancipuar, ku respektohen vlerat individuale, ku njerëzit avancohen sipas meritës, nuk mund të kemi një demokraci të zhvilluar, e si rrjedhim edhe një shtet të zhvilluar.

Personaliteti i çdo individi fillimisht ndërtohet brenda familjes, si agjenci kryesore e socializimit të çdo individi, më pas jasht familjes, në një rreth më të gjerë të njerëzve. Shthurja e familjes, si bërthamë e shoqëris, nënkupton shkatërrimin dhe degradimin e vlerave të shoqërisë në përgjithësi.

Në shoqërinë kosovare, është për keqardhje të thuhet, por realiteti është i tillë, paslufta ka shënuar degradim të vlerave familjare e humane, e posaçërisht, humbjes së kontrollit të prindërve ndaj fëmijëve, por jo rrallë, edhe e përkrahjes së fëmijëve në të keqe. Përderisa prindi pajtohet që fëmija i tij, djali apo vajza, të pranohet në shkollë, fakuktet, etj, pa meritë, është tregues i qartë i përkrahjes në të keqe. Veç kësaj, intervenimet në kryerjen e provimeve në fakultet, dhënja e parave për avancime, etj., janë ndër problemet që kanë marrë përmasa marramendëse në shoqërinë tonë.

Është e tmerrshëme kur vet prindi tregon se si fëmija i tij është pranuar në studime, e për më keq, ndjehen edhe krenarë se si kanë arritur të gjejnë njerëz të njofshëm për të kryer ‘punë’.

Dua të besoj, që secili intelektual e punonjës i arsimit, është i vetëdijshëm për gjendjen e mjerueshëme që kemi në shkollat dhe universitetet tona, andaj, duhet ta kenë parasysh se bartin një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Duhet të kemi parasysh, se dhënja e notës pa dije, është krim i pafalshëm. Përveç dëmtimit të individit, pasojat më të mëdha do të jenë ndaj shoqërisë, kur ai person do të marrë përgjegjësi në institucione të ndryshme, e që shpeshherë, tipa të tillë po ndodh t’i kemi në pozita të larta shtetërore.

Përderisa, vazhdojmë të funksionojmë në këtë mënyrë, nuk do të arrijmë asnjëherë të krijojmë shtetin e së drejtës dhe një demokraci normale, përkundrazi, do të shkatërrojmë edhe ato vlera që kemi ndërtuar ndër vite me shumë mund dhe sakrificë. /Opoja Sot

Autor: Fatmir Halili – Është Kryetar i ‘Nisma për Kosovën’, dega në Dragash dhe ish-kandidat për Kryetar të komunës së Dragashit.

Opinioni i shprehur është vetëm i autorit dhe jo domosdoshmërish reflekton pikëpamjet e Opoja Sot.