Pas rrëshqitjes së dheut, pastrohet rruga Dragash-Restelicë

Ministria e Infrastrukturës (MI) ka njoftuar se të gjitha rrugët në Kosovë, përfshirë aksin rrugor Dragash-Restelicë janë të lira për qarkullim.

Megjithatë, është bërë apel për kujdes nga vozitësit për tu përshtatur kushteve atmosferike.

“Kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë në gaditshmëri përgjatë tërë natës dhe kanë intervenuar në të gjitha ato akse rrugore ku janë paraqitur ngrica, kurse në rrugët malore ku ka pasur rrëshqitje të vogla të dheut është intervenuar dhe janë pastruar ato, duke bërë kështu që ato të jenë të lira për qarkullim”, thuhet në njoftimin e MI-së, shkruan Opoja Sot.

Pas reshjeve të borës, dje në orët e mbrëmjes kishte pasur rrëshqitje të dheut në rrugën Dragash-Restelicë e cila është pastruar.

Sipas njoftimit, tashmë kjo rrugë është pastruar nga dheu dhe gurët dhe është e lirë për qarkullim në tërë segmentin e saj. /Opoja Sot