Përfshihet në rrahje, kryeinspektori Dëfrim Gashi pezullohet nga puna

Kryeinspektori Dëfrim Gashi hetohet për sulm fizik ndaj inspektorit Habib Aliu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pezulluar nga puna kryeinspektorin Dëfrim Gashi dhe inspektorin Habib Aliu, për shkak të dyshimit se janë përleshur fizikisht mes vete në ambientet e Ministrisë, shkruan sot Koha Ditore.

Gashi akuzohet se të premten e kaluar e ka goditur me mjet të fortë Aliun, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë.

Aliu ka treguar për gazetën se kryeinspektori e ka sulmoi atë në prani të drejtorit të Departamentit ligjor, Isni Kryeziu.

Sipas Aliut, arsyeja e sulmit lidhet me atë se Gashi ka kërkuar nga inspektorët që të bëjnë presion te Universiteti i Prishtinës për trajtimin e disa ankesave të stafit akademik që lidhen me konkursin e fundit për zgjedhjen e personalit akademik.

Dëfrim Gashi është nga fshati Brezne, ai ka qenë Drejtor i Arsimit në Komunën e Dragashit në kohën e qeverisjes së LDK-së, me kryetar Halim Shemsidinin.

Gashi po ashtu ishte edhe kandidat për deputet nga LDK-ja, në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001. /Opoja Sot