PZAP: Në Dragash rinumërohen 35 vendvotime

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur që në të rinumërohen të gjitha votat në të gjitha vendvotimet në komunat e Prishtinës dhe Prizrenit. Paraprakisht, kërkesën për rinumërimin e votave në Prishtinë, e kishte paraqitur Lidhja Demokratike e Kosovës. Kurse rezultatin e zgjedhjeve në Prizren, e kishte kontestuar Partia Demokratike e Kosovës.

Në garë për kryetar të Prishtinës, janë Shpend Ahmeti i Lëvizjes vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në bazë të rezultateve preliminare, por të cilat pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk do të vlejnë më, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti printe me vota në Prishtinë, me një epërsi jo të madhe.

Edhe në Komunën e Prizrenit, epërsia e kandidatit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskukaj ishte e vogël në garën për kryetar me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.

Po ashtu, PZAP ka vendosur që edhe në Komunën e Dragashit të rinumërohen 35 vendvotime.

Paraprakisht, kërkesat për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren i ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

PZAP është organ i përhershëm, i pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat dhe apelet e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor siç është caktuar me Ligjin e Zgjedhjeve të Republikës se Kosovës dhe rregullave zgjedhore. /REL