Si u vranë në Buqe dy pjesëtarët e UÇK-së dhe oficeri serb me 28 korrik të 1998-s?

Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pasi ishin armatosur në Shqipëri kishin kaluar malet dhe ishin vendosur në fshatin Buqe.

Mirëpo ushtria serbe kishte ‘nuhatur’ këto lëvizje dhe se në këtë fshat ishin vendosur pjesëtar të UÇK-së.

Me 28 korrik të vitit 1998 pas mesnate, oficeri serb Bojan Denić me njësitin e vet ishin nisur për në fshatin Buqe t’i dëbojnë pjesëtarët e UÇK-së, të cilët pas kthimit nga Shqipëria, ishin vendosur në këtë fshat.

Në Buqe ishin të vendosur Nexhat Fanaj nga Grazhdaniku i Prizrenit dhe Behamir Memaj nga Zhuri bashkë me pjesëtar të tjerë të UÇK-së.

Nexhati dhe Behamiri me shokë e kishin pru një kontingjent armatimesh nga Shqipëria në Kosovë.

Në mëngjesin e 28 korrikut pjesëtarët e UÇK-së  u ndeshën me ushtarët e Ushtrisë së Jugosllavisë.

Ushtria serbe kishte sulmuar shtëpinë e Islam Berishës, dhe kishte kërkuar dorëzimin e ushatrëve të UÇK-së, por këta të fundit kishin refuzuar, dhe kanë pasuar luftimet e ashpra.

Gjatë luftimeve, kapiteni serb Bojan Denić fillimisht u qëllua me një plumb në këmbë, ndërsa më pas në kokë dhe së shpejti ndërroi jetë.

Në këtë betejë ranë edhe dy pjesëtarët e UÇK-së Nexhat (Qazim) Fanaj (25.09.1965) nga Grazhdaniku, i cili la dy fëmijë dhe Behamir (Rrustem) Memaj (23.10.1973) nga Zhuri.

Dëshmitarë nga fshatrat Buqe dhe Brezne tregojnë se Nexhati u plagos në luftime dhe arriti të kaloj rrethimin mirëpo nuk arriti tu mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë te Fusha e Hutit (Mali mbi Liqenin e Breznës).

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) edhe pjesëtar të tjerë të UÇK-së  u arrestuan në këtë betejë, por dëshmitarët tregojnë se arrestimet u kryen në Rapqë pasi disa ushtarë kishin humbur rrugën natën.

Në betej u plagos edhe Rrustemi komandant i Milicisë i cili ishte nga Gora.

Disa ditë pas betejës, familjarët i morën trupat e Nexhatit dhe Behamirit dhe i varrosën në fshatrat e tyre të lindjes.

Pas lufte, trupat e Nexhatit dhe Behamirit janë rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës në Landovicë.

Sqarim për lexuesit

Të dhënat dhe përshkrimi i ngjarjes janë marrë nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe më pas I kemi përditsuar nga disa banorë të fshatrave Buqe dhe Brezne.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) është organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut e themeluar në vitin 1992 nga Natasha Kandiq, me qëllim që t’i dokumentojë shkeljet skandaloze të të drejtave të njeriut që po kryheshin me të madhe në gjithë Jugosllavinë e asaj kohe, gjatë konflikteve të armatosura në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë. /OpojaSot.com