Strukturat paralele në trevën e Gorës së Dragashit ende funksionojnë lirshëm

Ky problem, mbase, nuk mund të jetë edhe aq i madh për Kosovën, po për këtë komunë të vogël dhe për Beogradin, gjithsesi, është një çështje, e cila assesi nuk bën që të anashkalohet, vlerësojnë arsimtarët e këtij komuniteti që punojnë me plan programe të MASHT-i

Se strukturat paralele të trevës së Gorës së Dragashit realisht janë bërë “arrë e fortë” për institucionet lokale e qendrore, dëshmon fakti se ato jo vetëm që vazhdojnë të funksionojnë lirshëm edhe në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, por gjithnjë vijnë duke u fuqizuar.

Një gjë të tillë, para se gjithash, ua mundësojnë shumat e mëdha të parave që arrijnë nga Beogradi, me qëllim që ndikimi i tyre të jetë prore i pranishëm edhe në komunën më jugore të Kosovës.

Kështu, kjo komunë paralele që u themelua në fillim të pas luftës së Kosovës në këtë trevë, të cilën mund ta quajmë si të duam, por që ajo faktikisht funksionon dhe është bërë dorë e zgjatur e Beogradit, duke u ofruar shërbime të shumta një pjese të konsiderueshme të këtij komuniteti (shtesa fëminore për filloristët, bursa për shkollarët e mesëm dhe studentët, ndihma sociale, shërime jashtë Kosovës), e shumë beneficione tjera, me të cilat faktikisht blehen këta qytetarë dhe njëherësh instrumentalizohen, për të qenë lojal ndaj Serbisë.

Problem më vete paraqet edhe sistemi paralel i shkollimit në këtë trevë. Në vend se ky paralelizëm të eliminohet, siç është shpresuar, ai vjen gjithnjë duke u trimëruar. Ndërkaq, të gjithë ata arsimtarë që mundohen të inkuadrohen në sistemin unik shkollor të Kosovës, duke punuar me plan programe të MASHT-it, ankohen se edhe përkundër premtimeve të MASHT-it dhe DKA-së, për normalizimin e mësimit në trevën e Gorës, sipas asaj se si janë duke shkuar punët edhe në këtë vit, me një numër të konsiderueshëm të nxënësve dhe arsimtarëve goranë, si në arsimin fillor ashtu edhe në atë të mesëm, kjo çështje duket se vështirë mund të rregullohet.

Muharrem Qafleshi
Muharrem Qafleshi

Shikuar realisht, në fshatin Mlik, ende vazhdon mësimi në shkollën e mesme paralele me plan-programe serbe, në të cilën janë duke i ndjekur mësimet pjesa më e madhe e nxënësve të këtij komuniteti, ndërkaq në Glloboqicë funksionon shkolla e plotë fillore paralele. Strukturat komunale, në fillim kanë shpresuar se do të tejkalohet ky problem, por më vonë, në pamundësi për të bërë diç, duket se tani edhe ata janë bindur se të gjitha përpjekjet e tyre kanë shkuar huq.

Përfundimisht, deri sa kjo gjendje konfuze ende po vazhdon, tani më është e qartë se, hëpërhë, nuk ekziston asnjë formulë për zgjidhjen e këtij problemi. Për më tepër, shpesh vazhdohet me fajësime të ndërsjella.

Kështu, derisa punëtorët arsimorë që punojnë me plan programe serbe theksojnë vazhdimisht se këtë e bëjnë për të mirën e nxënësve, ngase në këtë mënyrë, sipas tyre, mund t’u ofrojnë atyre  perspektivë të qartë për shkollim të mëtejmë, duke mos qartësuar qëllimin e tyre të fundit, dhe duke mos përmendur pagat e majme që marrin ata si kundërshpërblim, kolegët e tyre që punojnë me plan programe të MASHT-it, me paga shumë më të vogla, ankohen se për të gjitha ato që kanë bërë ata për integrimin e këtij komuniteti në shoqërinë e Kosovës, kanë pak përkrahje.

Andaj, me të drejtë, ata kërkojnë nga institucionet kompetente që t’i qasen me shumë seriozitet zgjidhjes së këtij problemi, i cili sipas tyre, për Kosovën, mbase, nuk mund të çojë shumë peshë, po për këtë komunë të vogël dhe për Beogradin, gjithsesi,  është një çështje, e cila nuk guxon që të anashkalohet, aq më tepër kur tani Kosova e ka shtetësinë./Bota sot