UNMIK-u u ndërton stadium goranëve, Shabani mburret që u ka dhënë gjysmën e drejtorive

Përfaqësuesit e UNMIK-ut kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Zyrës për Komunitete dhe Kthim ku kanë bërë të ditur se kërkesa e tyre është miratuar, që në fillim të pranverës do të fillojnë punën në ndërtimin e një terreni sportiv në Zlipotok.

Projekti do të realizohet në bashkëpunim me OJQ-në lokale ‘Memelicet’ dhe do të financohet nga misioni i UNMIK-ut në Kosovë, shkruan OpojaSot.com

Pas kësaj, e para e  UNMIK-ut, Lidija Gali zhvilloi një takim të kryetarin e Komunës së Dragashit, Shaban Shabani.

Takimi ishte informativ, me fokus të veçantë për të drejtat e komuniteteve në të gjitha segmentet e komunës së Dragashit, si dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.

Kryetari Shaban Shabani në detaje ka informuar shefen e UNMIK-ut për të drejtat e minoriteteve ku theksoi se kabineti i tij, duke iu referuar drejtorëve të drejtorive, pesëdhjetë për qind të kabinetit i ka të përbërë nga përfaqësues të minoriteteve që jetojnë në Komunën e Dragashit.

Gjithashtu, ai theksoi se në bashkëpunim me përfaqësuesit e Zyrës për Komunitete, si dhe nënkryetarin e bashkësisë së pakicave, ata punojnë së bashku për të zgjidhur të gjitha çështjet e pakicave.

Kryetari Shabani, falënderoi Lilija Galieva dhe ekipin e saj që siguroi burimet financiare për ndërtimin e qendrës sportive që do të ndërtohet në oborrin e shkollës në Zlipotok. /OpojaSot.com