Veseli në Bresanë: Dragashi do të bëhet pjesë e hartës turistike të Evropës

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë të qeveris me Dragashin, sepse kjo komunë gjithmonë i ka besuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë dhe të investojnë edhe më shumë në Dragash.

“Do të vazhdojmë ta qeverisim Dragashin me përgjegjësi dhe transparencë. Në mandatin e ri do të qeverisim me njeriun tuaj, me njeriun e punës e të sakrificës, me Shaban Shabanin kryetar”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka në fokus zhvillimin ekonomik të komunave, hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë tanë, përkrahjen e bizneseve prodhuese dhe fuqizimin e sektorit privat.

“Kjo është ajo çka i duhet më së shumti Dragashit. Ne i dimë nevojat dhe përparësitë e Dragashit. Ne kemi plane dhe projekte konkrete për ta transformuar Dragashin në një zonë të zhvilluar ekonomikisht”, ka thënë Veseli.

Veseli
Veseli, Dragash

Me Shaban Shabanin kryetar, Veseli ka thënë se brenda një mandati do ta kthejnë Dragashin në njërën nga pikat qendrore të turizmit në shtetin e Kosovës.

“Si asnjë komunë tjetër, Dragashi ka mundësi që të kthehet në një zonë turistike shumë më atraktive sesa që është Brezovica dhe ne do ta bëjmë realitet këtë mundësi”, ka thënë ai.

Veseli ka premtuar se Dragashi do të bëhet pjesë e hartës turistike të Evropës. Ai ka thënë se do të veprojnë shpejt në rregullimin e rrugës Zhur-Dragash.

“Do të realizojmë projektin milionësh për grumbullimin e ujërave të zeza në mënyrë që të ruajmë ambientin e Dragashit. Ambienti i pastër është kusht elementar për zhvillimin e turizmit malor, gjatë gjithë vitit”, ka thënë ai.

Veseli ka premtuar edhe rritje të subvencioneve për blegtorinë e Dragashit.

“Kosova ka nevojë ta ketë industrinë e saj të produkteve të qumështit e të mishit dhe Dragashin do ta kthejmë në burimin kryesor të kësaj industrie”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së e ka vlerësuar lart edhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve në Dragash dhe i ka falënderuar për mbështetjen e tyre për kandidatin e PDK-së.

Nga banorët e Komunës së Dragashit, ai ka kërkuar që më 19 nëntor të dalin dhe të votojnë masivisht për Shaban Shabanin kryetar.