Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, qëndroi për vizitë në Dragash

Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, të enjtën qëndroi në Dragash, ku u takua me të parin e kësaj komune, Shaban Shabanin, duke vazhduar rrugëtimin në fshatin Zlipotok, për ta përuruar një stadium që organizata e tij e kishte financuar ndërtimin.

Pavarësisht paragjykimeve ndaj UNMIK-ut, i pari i këtij misioni në Kosovë, afganistanasi, Farid Zarif, ishte tejet miqësor në takimin me kryetarin e Komunës, si dhe me banorët e Zlipotokut, të cilëve iu kishte ndihmuar në ndërtimin e një stadiumi në shkollën e fshatit por që shfrytëzohet edhe nga të rinjtë e paktë nga ky lokalitet.

  UNMIK-u financon ndërtimin e një fushe sportive në Zlipotok

“Jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe jo për t’ju qeverisur”, ishin fjalët e para të Zarifit, i cili u interesua më së shumti për gjendjen e përgjithshme në këtë komunë multietnike, në skajin më jugorë të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga banorët shumicë dhe nga qeveria lokale më shumë mirëkuptim ndaj komuniteteve pakicë, një pjesë e të cilëve vazhdojnë ta mbajnë gjallë sistemin paralel të Serbisë në këtë komunë.

“Lëreni ata të mësojnë si të duan dhe mos i pengoni në shfrytëzimin e objekteve publike, sepse gjithçka do të gjej zgjidhje me kohën”, e porositi Zarifi, kryetarin Shabani.

Ky i fundit e njoftoi atë se kjo strukturë aktualisht i shfrytëzon objektet publike dhe askush nuk po i pengon, por që brenga më e madhe është se pikërisht ky veprim po i kontribuon shpërnguljes së banorëve të kësaj ane.

“Ne nuk po i pengojmë ata, por gjithnjë ua bëjmë me dije se ky veprim që nuk përkon me ligjet e Kosovës po i kontribuon shpërnguljes së banorëve të këtij komuniteti sepse, me ta mbaruar arsimin e mesëm sipas këtij plan-programi, ata po ikin në Serbi për shkollim të lartë dhe kështu po mbesin atje”, tha Shabani.

I shoqëruar nga Shabani dhe zyrtarët tjerë të Komunës, përfshirë edhe ata nga komuniteti pakicë, Zarif në mënyrë simbolike e shpalli të hapur stadiumin e shkollës, i cili është ndërtuar me fonde të UNMIK-ut.

Ky moment takimi u shfrytëzua edhe për bisedë të lirë me banorët, të cilët kërkuan më shumë vëmendje dhe angazhim për investime kapitale, me theks të veçantë, hapjen e korridoreve të mundshme për tu lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë. /Radio Sharri/